Gjashtë persona, të cilët akuzohen se kanë dashur të kryejnë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria e Kosovës i ngarkon ata se kishin planifikuar të sulmonin një kishë, dy diskoteka, si dhe sulme tjera ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.
Të akuzuarit, Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramoz Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, mohuan pretendimet e Prokurorisë duke thënë se nuk kishin planifikuar asnjë sulm terrorist, si brenda, ashtu dhe jashtë Kosovës.
SHIKONI EDHE: Detaje të reja nga tentim-sulmi kundër KFOR-itProkurori i rastit, Afrim Shefkiu, tha se gjashtë të akuzuarit kanë planifikuar të kryejnë sulme terroriste edhe në Francë dhe Belgjikë.
“Të pandehurit Bujar Behrami dhe Lulzim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 deri me datën 29 qershor të vitit 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë. I pandehuri Bujar Behrami ka tentuar të krijojë grupin me emrin ‘Ndihmëtarët e Shtetit Islam’, për të vepruar në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Veçmas kanë përgatitur sulme terroriste në diskotekat ‘Insomnia’ dhe ‘Kamboxha’ në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë ‘Moskva’ në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë”, tha Shefkiu.
Sipas prokurorit Shefkiu, ky grup, gjithashtu, synonte të formonte një organizatë për të kryer sulme terroriste në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
“I pandehuri Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë zjarri dhe materieve plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë”, tha prokurori Shefkiu.
Prokurori Shefkiu bëri të ditur para trupit gjykues se i akuzuari Gramoz Shabani me nënshtetësi belge, kishte cak sulme terroriste në shtetin e Francës dhe të Belgjikës.
SHIKONI EDHE: “Luftëtarët e huaj” kërcënim për sigurinë në KosovëE akuzuara Edona Haliti, akuzohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të Gramoz Shabanit duke planifikuar së bashku që të kryenin sulm vetëvrasës me eksploziv të vendosur në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
“E pandehura Edona Haliti gjatë muajit maj deri më 2 qershor 2018 e tutje, duke vepruar sipas udhëzimeve të të pandehurit Gramoz Shabani, është përfshirë në veprimin inkriminues të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve të tjera të frekuentuara me qytetarë”, theksoi prokurori.
SHIKONI EDHE: Luftimi i terrorizmit: Deradikalizimi fillon nga familjet, shkollat, lagjet deri te burgjetDy të akuzuarit e fundit, Leotrim Musliu dhe Albert Ademaj, sipas aktakuzës thuhet se ishin në dijeni për planifikim të veprave terroriste nga ana e dy të akuzuarve të tjerë, Bujar Behrami dhe Rasim Kastrati, dhe me këtë rast, nuk i kanë njoftuar autoritetet.
Të akuzuarit kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk njihen mes vete, përpos Edona Halitit dhe Gramoz Shabanit, të cilët kanë pranuar para gjykatës se njihen dhe bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.
Avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin nga paraburgimi për disa të arrestuarit, por kërkesa e tyre është refuzuar nga trupi gjykues.