Famà: Pa koncesione nuk ka marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Giuseppe Famà nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Bashkimi Evropian duhet të shikojë mundësinë që në platformën dialoguese Kosovë-Serbi, ta përcaktojë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, sugjeron Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit vjeshtor. Kjo organizatë e pavarur, që analizon konfliktet në botë, megjithatë parashikon se zgjidhja finale do të përfshijë koncesione të mëdha, duke përfshirë autonomi të gjerë për komunat serbe apo shkëmbim të territoreve.

Njëri nga hartuesit e këtij raporti, Giuseppe Famà, udhëheqës i Çështjeve Evropiane në këtë organizatë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se BE-ja nuk duhet të imponojë kufizime në dialog dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në bindjen e Kosovës që të ridizajnojë platformën dialoguese. Sipas tij, nëse Kosova pajtohet për autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe, e njëjta duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Në raportin e fundit të organizatës tuaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i keni bërë thirrje BE-së që ta përcaktojë nëse ka mundësi, fokusimin e qartë në arritjen një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në njohje reciproke. A e shihni këtë si skenar të arritshëm?

Giuseppe Famà: Hapësira manovruese është shumë e ngushtë dhe siç e dini diplomacia shpeshherë ka bërë një hap para e dy prapa, për shkak të kompleksitetit të kësaj çështjeje. Çelësi definitivisht është që të shtyhet sa më shumë drejt një zgjidhjeje potenciale finale. Përfaqësuesi i ri i BE-së, Mirosllav Lajçak ka njoftuar Këshillin për Politikë të Jashtme të BE-së, të cilët e miratuan strategjinë e tij nga bisedimet e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ekziston një momentum ndërmjet evropianëve që kanë ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje eventuale. Por, është e diskutueshme nëse kjo mund të arrihet shpejt.

Bilanci deri më tash mbetet i pandryshuar, pasi BE-ja ka pikëpyetjen e madhe për njohjen e ndërsjellë, pasi një gjë e tillë nuk është e thënë qartë në mandatin e përfaqësuesit special. Është e rëndësishme që për të arritur deri aty, të vijmë te një pajtim i ndërsjellë se marrëveshja për normalizim raportesh duhet të përfshijë njohjen, element që është i vështirë edhe për faktin se deri më sot, pesë shtete anëtare vazhdojnë që të mos e njohin Kosovën. Prandaj, në të vërtetë do të jetë çështje diplomacisë.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni të mundshëm arritjen e kompromisit në dialogun Kosovë-Serbi dhe a ka rrezik që bisedimet të dështojnë për shkak të retorikës aktuale?

Giuseppe Famà: Retorika nuk e ndihmon aspak dialogun dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Një nga rekomandimet tona është që BE-ja të dyfishojë përpjekjet dhe të luftojë keqinformimin rreth dialogut. Janë dy gjëra që duhet të theksohen këtu. E para, duhet kuptuar se nuk ka zgjidhje, ku fitues i plotë do të jetë vetëm njëra palë. Nuk mund të ndodhë një skenar ku Kosova dhe Serbia do të arrijnë të përmbushin kërkesat e tyre plotësisht, prandaj do të duhet të bëjnë koncesione. E dyta ka të bëjë me rolin e BE-së, e që nuk duhet t’i ndalojë Beogradin dhe Prishtinën që të identifikojnë vet zgjidhjen potenciale, që mund të mos jetë në tërësi me atë çfarë rekomandon Brukseli.

SHIKONI EDHE: Kraja: Të gjitha marrëveshjet janë koncesion që Kosova i bën Serbisë   

Në raportin tonë të Grupi të Krizave, ne i bëjmë thirrje BE-së që të përmbahet nga politika që të ndalojë palët që të diskutojnë zgjidhje, ku përfshihet edhe shkëmbimi i territoreve. Shumica e vendeve evropiane megjithatë e preferojnë një alternativë tjetër, ku përfshihet devolucioni apo autonomia më e madhe për komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe për Luginën e Preshevës, por deri më tash palët mund të kenë qenë edhe për zgjidhje të tjera. BE-ja duhet të evitojë përcaktimin e rezultatit të dialogut, para se palët të pajtohen për zgjidhje që mund të jenë të pranueshme për to.

Radio Evropa e Lirë: Me këtë që po thoni, a besoni se ideja për shkëmbim territoresh është ende në tavolinë? Dhe nëse po, pse duhet të jetë?

Giuseppe Famà: Nga ajo çfarë kolegët tanë kanë identifikuar pasi e kanë përcjellë këtë çështje nga afër, të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmërinë që t’i konsiderojnë alternativat, duke përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve. Natyrisht, se kjo mbetet çështje mjaft e ndjeshme, pasi edhe alternativa tjetër për autonomi të komunave serbe, shihet si çështje problematike, veçanërisht në Kosovë. Prandaj njëra nga mënyrat që BE-ja për ndihmë është që të testojë palët se çfarë duan dhe të diskutojë prospektin e këtyre opsioneve, pa dalë publikisht duke kundërshtuar gjithçka që nuk është në platformën e saj (BE-së).

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk jemi afër zgjidhjes politike me Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Pra, sipas jush, janë vetëm dy opsione: autonomi për komunat me shumicë serbe dhe shkëmbim territoresh. Por, Kosova deri më tash ka refuzuar që të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. A besoni se do të jetë e gatshme për koncesione të tilla?

Giuseppe Famà: Më lejoni që të kthehem tek ajo se cilat janë opsionet në tavolinë, pasi as unë nuk mund t’i limitoj ato në vetëm këto opsione. Por, e vërteta është se i kemi analizuar opsionet dhe po ashtu edhe projeksionet publike lidhur me atë se çfarë është diskutuar deri më tash në dialog, përfshirë këtu edhe nga intervistat e shumta që i kemi pasur me palë të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, e natyrisht edhe me diplomatët evropianë.

SHIKONI EDHE: Kompromisi i 'pakalueshëm’ Kosovë-Serbi

Ne si Grup i Krizave konsiderojmë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta kuptojnë se nuk mund t’i arrijnë qëllimet e tyre pa bërë koncesione. Në rastin e Serbisë është e qartë se koncesioni në këtë rast është që duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Për Kosovën, nëse kjo çështje shkon drejt një autonomie për komunat me shumicë serbe, atëherë kjo do të përfshijë fuqi të mëdha për komunat me shumicë serbe. Janë disa modele evropiane që mund të përdoren, si rajoni i Katalonjës në Spanjë, apo rajoni i Trentinos- Tirolit Jugor në Itali. Pra, këto rajone janë autonome brenda një shteti. Këto janë disa opsione që Prishtina do të mund t’i konsideronte në rast se do të vije tek opsioni i autonomisë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova e ka thënë qartë që i frikësohet dhe se nuk do të lejojë formimin e një Republika Srpska brenda territorit të saj. A mund të sjellë opsioni i autonomisë destabilizim dhe rrezikim të shtetësisë?

Giuseppe Famà: E thashë që ka raste të tjera në pjesë të tjera të Evropës ku sistemet janë të ndryshme, pa një skenar të tillë. Por, në këtë rast, kjo do të nënkuptonte që të dyja shtetet pajtohen që rajoneve ku jetojnë minoritetet, do t’u ofrojnë autonomi të gjerë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por duhet të aplikohet edhe për Luginën e Preshevës në Serbi. Është e rëndësishme që të dyja vendet të lëvizin para dhe të arrijnë te një marrëveshje, prandaj ne këtu i rekomandojmë BE-së që të ndihmojë sa më shumë që është e mundur.

Radio Evropa e Lirë: A ka BE-ja fuqi të mjaftueshme që t’i sjellë palët te një marrëveshje finale?

Giuseppe Famà: BE-ja është në një situatë komplekse për faktin se siç e thashë, dialogu ka ecur shpesh një hap para, dy prapa, po është një akter tjetër që mund të luajë rol të rëndësishëm dhe të punojë krah për krah me evropianët, SHBA-ja. Duke qenë se janë përfshirë shumë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës që pas përfundimit të luftës, duke përfshirë pavarësinë, SHBA-ja mund të ketë ndikim te Prishtina në këtë dialog dhe që do të sillte rezultate efektive. Prandaj, BE-ja bashkë me SHBA-në do të mund të punojnë bashkë që të ndihmojnë formësimin e marrëveshjes.

SHIKONI EDHE: Kosnett: Marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk arrihet pa kompromise

Radio Evropa e Lirë: A besoni se BE-ja dhe SHBA-ja kanë qëndrim të njëjtë sa i përket arritjes formës së marrëveshjes finale?

Giuseppe Famà: Në përgjithësi, jemi duke u përballur me një moment delikat ku konvergjenca relative ndërmjet BE-së dhe SHBA-së nuk është aq e fortë sa ka qenë në të kaluarën, duke përfshirë qëndrimet për shumë konflikte në botë. Kjo mund të ndryshojë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Por, në rastin e dialogut Kosovë Serbi, është në interesin e tyre që të jenë së bashku sepse ndajnë interesin e përbashkët për ndihmën që duhet dhënë në ofrimin e stabilitetit rajonal dhe absolutisht, mund të vazhdojnë të punojnë së bashku.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndihmuar marrëveshja e Uashingtoni për normalizim ekonomik në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse?

Giuseppe Famà: Kolegët e mi janë më ekspertë në këtë çështje, por ajo që do të theksoja është roli politik që SHBA-ja mund të luajnë në ‘shoqërimin’ e Kosovës në rihartimin dhe ridizajnimin e strategjisë negociuese, ndërkaq BE-ja ka ofertën për integrimin e tërë rajonit. Këto ndoshta janë elementet që duhet përmendur kur flasim për stimujt.

SHIKONI EDHE: Borrell: Arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, çështje muajsh

Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak janë shprehur së fundmi kundër afateve artificiale. Sa do të mund të zgjasë ky proces dialogues? A mund të jetë pafund?

Giuseppe Famà: Mendoj se fjalët e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ishin shumë optimiste, kur tha që marrëveshja në dialog mund të arrihet brenda disa muajsh, e jo vitesh. Por, është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen plotësisht në dialog dhe që eventualisht, të arrijnë sukses.