Gazetarit amerikan i zgjatet paraburgimi në Rusi për tre muaj

Gazetari amerikan i Wall Street Jour, Evan Gershkovich.

Gazetarit amerikan, Evan Gershkovich, iu zgjat paraburgimi për tre muaj nga një gjykatë ruse më 24 gusht, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, mbi akuzat për spiunazh, të cilat ai i mohon.

Gjykata e Moskës ia zgjati paraburgimin gazetarit të Wall Street Journal deri në 30 nëntor. Gershkovich ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.

Gershkovich u arrestua më 29 mars në qytetin Urals të Yekaterinburgut në Rusi mbi akuza për spiunazh që mund të çojnë deri në burgim prej 20 vjetësh.

Mediumi amerikan Wall Street Journal i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj Gershkovichit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë se po tenton të sigurojë një marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve, në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve janë në pikën më të ulët që kanë qenë gjatë më shumë se 60 vjetëve të fundit për shkak të luftës së paprovokuar të nisur nga Rusia në Ukrainë.

Shërbimi rus i sigurisë (FSB) tha se Gershkovichi po mblidhte informacion lidhur me një kompani ruse të mbrojtjes – informacion që thotë se ishte sekret shtetëror. Kremlini tha se ai u kap “në flagrancë”, por nuk ka dhënë asnjë detaj për ta mbështetur këtë akuzë.

SHIKONI EDHE: Kush është Evan Gershkovich dhe për çka e akuzon atë Rusia?

Shtëpia e Bardhë i ka quajtur akuzat “qesharake” dhe presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ndalimi i Gershkovichit është “krejtësisht i paligjshëm”.

Asnjë datë nuk është caktuar për gjykim. Gershkovich deri më tani ka qenë i pasuksesshëm në dy apelime, në prill dhe qershor, kundër paraburgimit të tij në burgun Lefortovo të Moskës, ku mbaheshin të dyshuarit e akuzuar nga shërbimi i sigurisë KGB në kohën sovjetike.

Ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy, është lejuar ta vizitojë atë në burg vetëm tre herë, së fundmi më 14 gusht, gjatë gati pesë muajve që nga arrestimi i tij.

SHIKONI EDHE: Ambasadorja amerikane në Rusi e viziton gazetarin e burgosur Gershkovich

Rusia ka thënë se çfarëdo shkëmbimi i të burgosurve mund të konsiderohet vetëm pas një vendimi gjyqësor dhe përmes një kanali të posaçëm të trajtuar nga shërbimet e sigurisë.

Rusia ka rënë dakord për shkëmbime të të burgosurve në të kaluarën, më së fundmi në dhjetor të vitit 2022 kur shkëmbeu Brittney Grinerin, një basketbolliste amerikane.

Uashingtoni është zotuar të bëjë “çfarëdo që të duhet” për t’i sjellë në shtëpi Gershkovichin dhe ish-marinsin Paul Whelan, të dënuar për spiunazh në vitin 2020..

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar të dy burrat si “të arrestuar gabimisht”, që do të thotë se i konsideron akuzat kundër tyre si të falsifikuara dhe të motivuara politikisht.