Kompania shtetërore ruse, Gazprom, i ka thënë Moldavisë se do të ndalë gazin nëse nuk paguan dhjetëra miliona dollarë për furnizimet e fundit.
“Afati i fundit për pagesat aktuale është 22 nëntori”, ka thënë zëdhënësi i Gazpromit, Sergei Kupryanov, për transmetuesin rus, NTV, duke shtuar se kompania “ka njoftuar anën moldave se brenda 48 orëve do të ndalen furnizimet me gaz në Moldavi, në përputhje me kontratën”.
Udhëheqësi i kompanisë, Moldovagaz, Vadim Ceban, ka konfirmuar se kompania shtetërore e energjisë në këtë shtet ka pranuar një njoftim të tillë nga Gazpromi, duke thënë se shuma që duhet paguar shkon në 73.5 milionë dollarë amerikanë.
“Ne jemi duke punuar vazhdimisht me Qeverinë për të zgjidhur këtë problem pa arritur afati i fundit. Shpresoj se do të arrijmë të zgjidhim këtë problem”, ka thënë Ceban për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Muajin e kaluar, Moldavia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka nisur të blejë gaz edhe nga shtetet tjera përveç Rusisë, pasi kontrata e saj me Gazpromin, furnizuesin kryesor të Evropës me gaz natyror, ka skaduar në fund të muajit shtator, dhe të dyja palët nuk kanë arritur të pajtohen për një marrëveshje të re me çmime tjera.
SHIKONI EDHE: A po e përdor Rusia gazin e vet si armë?Mirëpo më 28 nëntor, Qeveria moldave dhe Gazprom kanë njoftuar për një formulë të re mbi çmimet dhe për një marrëveshje pesëvjeçare, për të mundësuar furnizimet me gaz.
Disa vëzhgues kanë thënë se Moska është duke shfrytëzuar energjinë kundër Moldavisë, pasi kjo e fundit ka zgjedhur presidenten pro-Perëndimore, Maia Sandu, vitin e kaluar.
Ky vendim është kundërshtuar nga paraardhësi i saj, i përkrahur nga Rusia, Igor Dodon.
Rusia ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se çmimet më të larta kanë vetëm bazë komerciale dhe reflektojnë tregjet globale.