Gazetarja e REL-it fiton çmim për raportimet për gjenocidin në Srebrenicë

Gazetarja e REL-it, Iva Martinoviq, në Muzeun për Gjenocidin në Potoçari.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë (REL) nga Beogradi, Iva Martinoviq, ka fituar mirënjohjen speciale “Nihad Nino Qatiq” – kushtuar gazetarit që dërgoi reportazhin e fundit nga Srebrenica para se të vritej në gjenocidin që u mori jetën mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Martinoviq u shpërblye për kontributin e saj në përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Në Serbi, tre dekada më vonë, ka gjithnjë e më shumë rezistencë ndaj këtyre temave. Kur flet për këtë, shpesh përballesh me kërcënime, fyerje, indiferencë, madje edhe më shpesh me ndjenjën se po e përsërisësh kot”, tha Martinoviq në qendrën përkujtimore Potoçari.

Your browser doesn’t support HTML5

"Sillni të paktën dy kocka dhe varrosni, që të dihet se fëmija im ka jetuar"

Çmimi iu dorëzua një ditë para shënimit të 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

"Vit pas viti, raportet e organizatave ndërkombëtare i bëjnë thirrje Serbisë, përkatësisht autoriteteve në Serbi, të ndalojnë mohimin e gjenocidit, të ndalojnë madhërimin e kriminelëve të luftës dhe gjyqësori të tregojë efikasitet në ndjekjen penale të përgjegjësve. Por, vit pas viti, ndodh pikërisht e kundërta”, tha Martinoviq.

Iva Martinoviq është gazetare shumëvjeçare e REL-it, e cila, veç tjerash, raporton për krimet e luftës, për fajin dhe për përgjegjësinë e krimeve të kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.

Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.