Grupi i të drejtave të njeriut: Gazetari i burgosur i REL-it tentoi të vetëvritej

Ihar Losik, gazetari i Radios Evropa e Lirë, i dënuar me 15 vjet burgim nga autoritetet bjelloruse.

Grupi i të drejtave të njeriut, Vyasna, tha se burimet i kanë thënë se gazetari i burgosur bjellorus i Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik, është në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi u gjet “me prerje në duar dhe qafë”.

Grupi tha se Losik u “shpëtua” nga siç tha “tentim-vetëvrasja”, megjithëse ende nuk është e qartë se si u lëndua Losik apo në çfarë shkalle janë plagët e tij.

SHIKONI EDHE: Bjellorusia shton dy gazetarë të REL-it në listën e ekstremistëve

Losik u dënua me 15 vjet burgim në dhjetorin e vitit 2021. Megjithatë, akuzat për të cilat u dënua mbeten të paqarta.

Ai ka insistuar se rasti ndaj tij është i motivuar politikisht.

Në janar, gruaja e tij Darya Losik, u dënua me dy vjet burgim nën akuza për lehtësim të aktivitetit ekstremist.