AGK raporton se në Zubin Potok është djegur vetura e një ekipi medial

Protesta e serbëve në Zveçan.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se një makinë e një ekipi medial është djegur në Zubin Potok, teksa në veri të Kosovës janë regjistruar edhe disa tentim-sulme dhe vandalizime të makinave të ekipeve të gazetarëve.

AGK bëri të ditur se makina e televizionit Tëvë1 fillimisht është sulmuar dhe më pas është djegur në Zubin Potok.

"Për AGK-në, kjo sjellje është e patolerueshme, dhe u bëjmë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it të reagojnë sa më parë në mënyrë që kolegët të raportojnë pa u rrezikuar, penguar e dëmtuar pajisjet e tyre të punës", u tha në reagimin e asociacionit.

AGK ka shprehur shqetësim lidhur me situatën e krijuar për mediat dhe gazetarët që gjatë 29 majit kanë raportuar nga veriu i Kosovës, lidhur me protestat e serbëve lokalë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediet dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit”, u tha në njoftim.

Your browser doesn’t support HTML5

Djegia e veturës në Zubin Potok dhe shpërndarja e protestuesve

AGK tha se ekipi i medias Periskopi është tentuar të sulmohet nga dy persona të maskuar në Zveçan.

“Në një fotografi dërguar AGK-së, shihet se bluza e një kolegu është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar”.

Ndërkaq, vetura e Top Channel në Zveçan, me të cilën po udhëtonin gazetarë të mediave të ndryshme, sipas AKG-së, është vandalizuar “me slogane nacionaliste”.

Po ashtu, në Leposaviq makinat e RTV Dukagjinit dhe të ekipit Kallxo janë vandalizuar, duke u vizatuar mbi to slogane nacionaliste dhe duke ua mbuluar targat RKS (Republika e Kosovës).

AKG-ja ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë, që janë të pranishme në shtet, “që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Thellësisht të shqetësuar për situatën në veri

Në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të zgjedhur më 23 prill.

Tensionet në veriun e Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e këtyre tre komunave, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar këtë veprim të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë “hyrjen me forcë në ndërtesat komunale”.

Kryetarët e rinj u zgjodhën pasi në nëntor të vitit të kaluar, krerët komunalë nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhanë dorëheqje.

Lista Serbe i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.