Ukraina tha të martën se raketa ruse janë shkatërruar gjatë një shpërthimi në Gadishullin e Krimesë.
Ky gadishull ukrainas u aneksua paligjshëm nga Rusia më 2014.
Megjithatë, Kievi mohoi përgjegjësinë për këtë incident “misterioz”.
“Një shpërthim në qytetin Dzhankoi në veri të Krimesë së pushtuar përkohësisht shkatërroi raketat ruse Kalibr-NK, teksa ato po transportoheshin përmes trenave”, tha inteligjenca ushtarake ukrainase përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.
Hetuesit rusë më herët kishin deklaruar se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin zmbrapsur sulme me dronë në Dzhankoi dhe se pjesët e shkatërruara të dronëve dëmtuan një dyqan dhe një shtëpi, duke lënë të plagosur një person.
“Dronët e shkatërruar ranë në objekte civile”, tha Komiteti hetues rus përmes një deklarate.
SHIKONI EDHE: Putin e viziton Krimenë në përvjetorin e aneksimitDzhankoi është një qendër logjistike dhe gjendet mes Krimesë së kontrolluar nga rusët dhe jugut të Ukrainës, që është pushtuar nga forcat ruse pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Oleg Kryuchkov, një këshilltar i kreut të instaluar rus në Krime, tha se sulmi duket se ishte “hakmarrje” për aneksimin.
Ky shpërthim ndodhi disa ditë pasi Moska festoi 9-vjetorin e aneksimit të gadishullit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fundjavës që shkoi vizitoi Krimenë. Kjo ishte vizita e tij e parë në këtë gadishull, që kur ai urdhëroi dërgimin e trupave në Ukrainë më 24 shkurt 2022.