Escobar: Do të ketë sanksione të reja në Ballkanin Perëndimor

Zevëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.

Zevëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se dhuna nuk është mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike, teksa dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Më 8 janar, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha organizoi një protestë pranë selisë së Partisë Demokratike, në përpjekje për të marrë kontrollin e saj. Ai është përjashtuar nga kjo parti, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën atë person non grata, për shkak të përfshirjes në korrupsion të gjerë.

SHIKONI EDHE: Përfundon protesta në Tiranë pas ndërhyrjes së Policisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar, i cili njëherësh është i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi se edhe në të ardhmen pritet të ketë sanksione të reja në këtë rajon.

“E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon”, tha Escobar.

Ai tha se shpreson që nuk do të ndodhin më skena si ato të 8 janarit, ku mbështetësit e Sali Berishës tentuan që me forcë të hynin në selinë e PD-së në Tiranë.

“Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Dhe ne e dënojmë këtë. Ne jemi të bashkuar me partnerët tanë evropianë në dënimin e [dhunës] dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike”, tha Escobar.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se shpreson që të ketë përparim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon”.

Escobar tha se gjatë këtij viti, SHBA-ja do të angazhohet intensivisht me palët e përfshira në këtë proces.

“Ne do të angazhohemi intensivisht me të dyja vendet. Po, ne do të tregojmë mbështetjen tonë për dialogun edhe me hapa konkrete. Ne do të ndihmojmë, do të punojmë me partnerët tanë evropianë që të realizohet çfarëdo që të vendoset në këtë dialog, në këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Pra, po, ne do të jemi shumë të angazhuar në proces, por jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por në gjithë rajonin dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe çështjet ekonomike. Ne shohim shumë mundësi për zhvillim ekonomik në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë në të gjitha drejtimet”, tha ai.

SHIKONI EDHE: BE-ja pa shtysa dhe Kosova e Serbia pa vullnet për dialog

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve mes dy shteteve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.

*Intervistën e plotë të Gabriel Escobar dhënë për Zërin e Amerikës mund ta gjeni duke klikuar KËTU.