Të gjitha marrëveshjet e deritashme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen, tha të mërkurën i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për media në Prishtinë, në fund të vizitës së përbashkët me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit.
“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, tha Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun.
“Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një [model] ose të zgjedhë një, në emër të palëve”, tha Escobar.
SHIKONI EDHE: Presion për dialogun dhe AsociacioninQeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
Lajçak, në konferencën për media, tha se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.
“Nëse duam t'i japim fund ekzistencës së strukturave paralele [serbe në Kosovë], nëse duam transparencë në rrjedhat financiare, nëse duam rregulla të qarta në veri, këto mund të bëhen të gjitha brenda sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, tha Lajçak.
“Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t'ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t'u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”, shtoi Lajçak.
Duke iu drejtuar gazetarëve të mërkurën, pas vizitës së diplomatëve perëndimorë, Kurti tha se në takim me ta, nuk është biseduar për modelet rreth Asociacionit dhe shtoi se “të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara në nivelin më të lartë të standardeve evropiane”.
Ai tha se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin, por tha se është "e kujdesshme".
“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke", tha Kurti.
Lajçak, në anën tjetër, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “jo vetëm që do t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura, por do të kontribuojë edhe në stabilitetin në rajon dhe do të sjellë përfitime shumë konkrete për qytetarët”, që, siç tha, “duhet të jenë të lodhur nga status quo-ja”.
Lajçak tha se komuniteti ndërkombëtar priste përparim më të shpejtë në vitin 2021 dhe shpreson se kjo do të ndodhë në vitin 2022.
Ai po ashtu tha se shpreson që shumë shpejt, dialogu të vazhdojë me takime të nivelit të lartë.
“Dialogu nuk ka të bëjë me negocimin e statusit të Kosovës. Dialogu ka të bëjë me negocimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Lajçak.
Escobar tha se shpreson që në fund të këtij procesi, si rezultat, të ketë një zgjidhje që do të funksionojë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.
Ai përsëriti se SHBA-ja mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Në konferencën për media, Escobar dhe Lajçak thanë se partitë opozitare të Kosovës kanë shprehur mbështetje të plotë për procesin e dialogut.
Tri partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimit me diplomatët perëndimorë, kanë qenë unanime në lidhje me rezultatin përfundimtar që duhet të sjellë dialogu. Përfaqësuesit e tyre thanë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë brenda kufijve ekzistues të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Liderët opozitarë: Marrëveshja me Serbinë, në kufijtë ekzistuesGoran Rakiq, kryesues i Listës Serbe - partisë kryesore serbe në Kosovë - tha se ua ka përcjellë diplomatëve perëndimorë se populli serb i kundërshton “qëllimet e Prishtinës për të reduktuar obligimet e tij, sa u përket kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Në konferencën e përbashkët me dy diplomatët perëndimorë, të mbajtur të hënën, Kurti tha se Kosova është e vendosur që “integriteti territorial, sovraniteti, funksionaliteti shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria të mbeten të paprekura nga çdo përpjekje e kujtdo”.
Takimi i fundit i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut, është zhvilluar në korrik të vitit të kaluar.
Escobar dhe Lajçak vazhdojnë sot vizitën në Serbi.