Gabimet gjyqësore i kushtojnë mbi 2 milionë euro Maqedonisë së Veriut

Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Të dhënat nga platforma “Financa të hapura” në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, tregojnë se mbi 2 milionë euro i kanë kushtuar shtetit gabimet gjyqësore, pasi qytetarët që kanë qenë të pakënaqur me vendimet e gjykatave të vendit, i janë drejtuar Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Sipas statistikave të Byrosë për përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut para Gjykatës në Strasburg, kjo gjykatë ka sjellë 153 vendime kundër shtetit, ku 108 prej tyre kanë të bëjnë me gjykime të stërzgjatura, përkatësisht mossjelljen e vendimeve nga gjykatat në afat të arsyeshëm.

Të dhënat tregojnë se për shkak të zvarritjeve të rasteve gjyqësore civile, administrative si dhe praktikat e pamjaftueshme të zbatimit civil, kanë rezultuar në shkeljen e të drejtave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët më pas drejtësi kanë kërkuar në Gjykatën e Strasburgut.

Ish-gjykatësi, Bashkim Selmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zvarritja e proceseve gjyqësore po e bën jofunksional sistemin gjyqësor.

“Mbi 84 mijë lëndë në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbeten të bllokuara në sirtarët e sistemit të drejtësisë, i cili është i korruptuar dhe pjesa tjetër, mbi një e dyta e lëndëve janë vjetërsuar në mënyrë të paarsyeshme”, thotë Selmani.

SHIKONI EDHE: Qytetarët kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Strasburgut

Ndërkaq, avokati Zvonko Davitkoviq, thotë se Gjykata e Strasburgut ka nxjerrë në pah shumë arsye se pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e kanë të vështirë të realizojnë të drejtat e tyre.

“Madje as shkronja ‘r’ nga reformat nuk është bërë në sistemin e gjyqësisë në Maqedoninë e Veriut. Ne e kemi edhe në raportin e Pribesë, ku qartë janë fokusuar të gjitha problemet në sistemin e drejtësisë, madje janë dhënë shumë rekomandime edhe në raportin e Këshillit të Evropës. Kështu që, vetëm konfirmohen kritikat për dobësitë e shumta në sistemin tonë të drejtësisë, duke filluar nga qasja selektive, standardet e dyfishta, proceset e stërzgjatura si dhe paraburgimi si dënim, që shfrytëzohet për qëllime politike”, thotë Daitkoviq.

SHIKONI EDHE: Shkup: Polemika rreth zbatimit të reformave në gjyqësor

Por, ish-gjykatësi, Bashkim Selmani thotë se numri i ankesave në Gjykatën në Strasburg do të ishte më i lartë, por zvarritja e proceseve gjyqësore, ka pamundësuar që qytetarët e vendit t’i drejtohen këtij organi, pasi që pa një vendim të plotfuqishëm, ata nuk mund t’i drejtohen Gjykatës për të drejtat e njeriut.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, fillimisht e kanë patjetër të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike nga shkalla e dytë, nga shkalla e tretë dhe pastaj t’i drejtohen Gjykatës në Strasburg. Kjo është një vështirësi sepse nuk u jepet e drejta qytetarëve të kërkojnë drejtësi në Strasburg pa u mbyllur çështja këtu, e këtu procesi gjyqësor di të zgjatë deri në dhjetë vjet”, thotë Selmani.

Përveç ankesave për të drejtën e gjykimit në kohë të arsyeshme në Gjykatën në Strasburg, qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë ankuar edhe për stërzgjatjen e masës së paraburgimit.