G7 shpalos detajet e planit që rivalizon iniciativën kineze Brezi dhe Rruga

Liderët e G7-ës.

Liderët e grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë shpalosur detajet e planit për mobilizim të 600 miliardë dollarëve për ndarje të fondeve për vendet në zhvillim.

Ky projekt është parë si rrugë për të rivalizuar iniciativën kineze, Brezi dhe Rruga.

Skema e ashtuquajtur Partneritet për Infrastrukturë Globale dhe Investime, ishte prezantuar për herë të parë vitin e kaluar, në kohën sa është mbajtur Samiti i G7-ës në Angli.

Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se plani garanton kthimin e mjeteve për secilin.

Iniciativa kineze është kritikuar për zhytje të shteteve në borxhe të mëdha.

SHIKONI EDHE: E ardhme e pasigurt për autostradën në Mal të Zi

“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë, as bamirësi”, ka thënë Biden për skemën.

“Është investim që garanton kthimin e mjeteve për secilin”.

Skema u mundëson shteteve që të shohin “përfitime konkrete nga partneriteti me demokracitë”, ka thënë presidenti amerikan.

Plani u bën thirrje liderëve të G7-ës që të mbledhin 600 miliardë dollarëve brenda pesë vjetëve, për të ndarë fonde për projekte infrastrukturore në shtetet me të ardhura të mesme apo të ulëta.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar për të ndarë 200 miliardë dollarë përmes granteve, fondeve federale dhe investimeve private, derisa BE-ja ka thënë se do të ndajë 300 miliardë euro.

SHIKONI EDHE: BE-ja me investime miliardëshe për t'i bërë konkurrencë Kinës

Iniciativa synon të ndihmojë shtetet në luftim të ndryshimeve klimatike, në përmirësim të shëndetit global, në barazi gjinore dhe ndërtim të infrastrukturës digjitale.

Disa prej projekteve kyçe përfshijnë një projekt me energji diellore në Angola, një fabrikë vaksinash në Senegal, dhe një kabllo nënujore telekomunikimi me gjatësi 1,609, që lidh Singaporin me Francën, përmes Egjiptit.