Ministri i Jashtëm i Brazilit ka kritikuar “paralizën” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për luftërat në Gazë dhe Ukrainë, teksa ai hapi takimin e G20-s më 21 shkurt, takim ku u shfaqën ndarjet e thella të komunitetit ndërkombëtar.
Ka pak gjasa që të ketë përparim në agjendë për konfliktet dhe krizat, teksa ministrat e Jashtëm të ekonomive më të mëdha të botës u mblodhën në Rio de Zhaneiro për takimin e parë të G20-s këtë vit.
Gjatë nisjes së takimit dyditor, ku merr pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kryediplomati i Brazilit, Mauro Vieira, tha se shpërthimi i konflikteve globale tregon se institucionet ndërkombëtare, sikurse OKB-ja, nuk po funksionojnë.
“Institucionet multilaterale nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me sfidat aktuale, siç ka demonstruar edhe paraliza e papranueshme në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktet që po vazhdojnë” në Gazë dhe Ukrainë. Ai shtoi se kjo situatë po iu kushton “me jetë personave të pafajshëm”.
Këshilli i Sigurimit ka dështuar që të veprojë ndaj pushtimit rus të Ukrainës, për shkak të fuqisë së vetos që ka Rusia, dhe po ashtu është përballur me probleme që të përgjigjet ndaj luftës në Gazë, pasi që SHBA-ja, aleatja e Izraelit ka përdorur veton për të bllokuar thirrje për armëpushim. Rasti i fundit ishte të martën.
SHIKONI EDHE: Izraeli vazhdon ofensivën në Gazë teksa rriten shqetësimet për qasjen e tijBrazili, që ka marrë drejtimin e Presidencës së G20-s nga India në dhjetor, ka thënë se ka shpresë që grupi mund të jetë një forum për të bërë përparim për këto çështje.
Por, presidenti i Brazilit nxiti një përplasje diplomatike pasi të dielën akuzoi Izraelin për “gjenocid”, duke krahasuar fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – me Holokaustin.
Kjo deklaratë nxiti zemërim në Izrael, që e shpalli presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, “person të padëshirueshëm”.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se Blinken “e ka bërë të qartë mospajtimin me deklaratën e tij” gjatë takimi që pati me Lulan para se të niste takimi i G20-s.
Që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor, që u nxit pas sulmit të luftëtarëve të Hamasit në jug të Izraelit, ka pasur pak shenja për përparim drejt paqes.
Pamje e zymtë po ashtu duket edhe për luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës për pothuajse dy vjet, luftë që ka ndarë anëtarët e G20-s.
SHIKONI EDHE: Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si armik”Pavarësisht përpjekjeve të shteteve perëndimore për të dënuar pushtimin e nxitur nga presidenti Vladimir Putin, samiti i fundit i G20-s përfundoi me një deklaratë ku dënohej përdorimi i forcës, por në deklaratë nuk u përmend shprehimisht Rusia, e cila ka raporte miqësore me Indinë dhe Brazilin, në mesin e shteteve të tjera të G20-s.
Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, që është paraparë të takohet të enjten me Lulan, ka akuzuar Perëndimin “se po armatos të gjithë Ukrainën”.
Gjatë udhëheqjes së Presidencës së G20-s, Brazili po ashtu ka thënë se dëshiron të shtyjë përpara temat e luftës kundër varfërisë dhe ndryshimeve klimatike.
Gjatë takimit dyditor të ministrave të Jashtëm do të ketë hapësirë për takime dypalëshe gjatë margjinave të samitit. Por, një takim mes Blinkenit dhe Lavrovit duket se ka pak gjasa të ndodhë, duke pasur parasysh tensionet në rritje mes dy shteteve të tyre.
Dy kryediplomatët për herë të fundit ishin takuar në samitin e G20-s që u mbajt në Indi në mars të vitit 2023.
I themeluar më 1999, Grupi i G20-s mbledh ekonomitë më të mëdha të botës. Fillimisht ai ishte projektuar si forum ekonomik, por që atëherë çdo herë e më shumë grupi përfshihet në politikat ndërkombëtare.