“Portreti i një burrështetasi të huaj, i cili aktualisht po bën luftë të përgjakshme pushtuese dhe po anekson territore të një vendi tjetër sovran, është simbol i okupimit”.
Kështu e përshkruan Aleksandra Vushuroviq, nga organizata joqeveritare “Rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët së bashku kundër luftës” muralin që, tash e shtatë muaj, qëndron në murin e një ndërtese në qendër të Beogradit.
Imazhi i pikturuar i Putinit, siç thotë ajo, është një përpjekje “për të krijuar përshtypjen në publik, se mbështetja për Rusinë e Putinit është mbizotëruese që në ditët e para të luftës”.
Serbia është një nga vendet e pakta, ku, përveç protestave paqësore në mbështetje të Ukrainës, mbahen edhe mitingje në mbështetje të Rusisë, nën organizimin e partive të djathta, disa pjesëve të kishës dhe grupeve joformale.
Murali i presidentit rus në Beograd është pikturuar më 5 mars, pak më shumë se një javë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Pranë imazhit të Putinit qëndron mbishkrimi me shkronja cirilike “vëlla”. Pas imazhit janë pikturuar edhe flamuri serb, edhe ai rus.
Një ditë më vonë, në mural është shfaqur edhe fjala “vrasës”.
Një sondazh i agjencisë Demostat me qendër në Beograd, i publikuar në muajin korrik, ka treguar se 80 për qind e qytetarëve të anketuar serbë janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Sondazhi, po ashtu, ka treguar se vetëm një e treta e qytetarëve serbë do të votonin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa 51 për qind e tyre kundër.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe asaj vazhdimisht i kërkohet të harmonizojë politikën e jashtme me atë evropiane, e cila përfshin edhe sanksione kundër Rusisë.
Kështu, Serbia, së bashku me Turqinë, është shembull i rrallë i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, që nuk ka vendosur masa kufizuese kundër Rusisë.
Megjithatë, më 2 mars, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Beogradi zyrtar i është bashkuar dënimit të pushtimit rus të Ukrainës.
Autoritetet në Serbi kanë votuar edhe për disa rezoluta të tjera në Kombet e Bashkuara, të cilat e dënojnë Rusinë.
Organizata “Rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët së bashku kundër luftës”, ku merr pjesë edhe Vushuroviq, ka organizuar disa protesta në Serbi kundër pushtimit të Ukrainës.
Edhe pse me shumë më pak njerëz se mitingjet në mbështetje të Rusisë, protestat kanë mbledhur aktivistë të shquar në luftën për të drejtat e njeriut.
Vushuroviq thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i luftës, janë bërë përpjekje për thellimin e ndarjeve në shoqërinë serbe.
Sipas saj, pas këtyre përpjekjeve qëndrojnë shërbimet ruse dhe organizatat e afërta me to. REL nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tilla.
“Përmes mbështetjes për Rusinë, në publik promovohen: qëndrimi në krah të saj, largimi nga rruga evropiane, nacionalizmi dhe thirrja për luftë në këto hapësira”, thotë Vushuroviq për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, në muralin e Putinit në Beograd janë bërë ndryshime.
Sytë i janë lyer me ngjyrë të kuqe, që aludon në gjak.
Nga fillimi i luftës më 24 shkurt deri më 30 shtator, më shumë se 7.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), nga 24 shkurti deri më 2 tetor, në Ukrainë janë regjistruar 15.246 viktima civile. Prej tyre, 6.114 të vrarë dhe 9.132 të plagosur.
Putinit në mural i janë vendosur edhe syze të zeza.
Ka pasur, po ashtu, përpjekje për ta rikthyer muralin në gjendjen e tij origjinale.
Të gjitha këto ndryshime, si dhe vetë krijimi i muralit, dëshmojnë për një ndarje të thellë në shoqërinë serbe, beson Vushuroviq.
“Jo luftës, jo aneksimit”
Organizata “Rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët së bashku kundër luftës” ka organizuar më 1 tetor një protestë kundër aneksimit të territoreve ukrainase nga Rusia.
Dhjetëra qytetarë kanë marshuar në qendër të Beogradit me sloganet: “Putin nuk është vëlla, Putin është luftë” dhe “Jo luftës, jo aneksimit”.
Më 30 shtator, Putin ka shpallur aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës - Herson, Zaporizhja, Donjeck dhe Luhansk - të cilat përbëjnë rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës dhe pjesë të të cilave janë pushtuar nga forcat ruse.
Rusia i ka aneksuar këto territore bazuar në të ashtuquajturat referendume për bashkim me Federatën Ruse, të cilat janë mbajtur nga data 23 shtator deri më 27 të po këtij muaji.
Komuniteti ndërkombëtar dhe vetë Ukraina i kanë hedhur poshtë këto votime.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 25 shtator se Serbia nuk do t’i njohë rezultatet e referendumeve të ashtuquajtura në rajonet e pushtuara të Ukrainës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë tri ditë më vonë se “nuk mund dhe nuk do ta njohë” aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia.
“Serbia i përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara, rezolutës së Kombeve të Bashkuara. Ne mbrojmë integritetin tonë territorial dhe është në interesin tonë më të mirë të mbrojmë integritetin territorial të vendeve të njohura ndërkombëtarisht”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar Kosovës.
Edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, zyrtarët serbë refuzojnë ta njohin atë si shtet të pavarur. Në këtë qëndrim, ata kanë mbështetje të madhe nga Rusia.
Kremlini zyrtar, ndërkohë, ka bërë një krahasim të ri midis pjesëve të pushtuara të Ukrainës dhe Kosovës.
“Populli i Donbasit dhe i Ukrainës jugore ka ushtruar të drejtën legjitime për vetëvendosje, në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të vitit 1966, Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, më 22 korrik, 2010”, thuhet, mes tjerash, në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, që mban datën 28 shtator.
SHIKONI EDHE: Çfarë nuk ka thënë Putini për Kosovën?Putin, gjatë një takimi më 26 prill me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, në Moskë, ka thënë: “Kur mundet Kosova, pse nuk munden edhe Donjecku dhe Luhansku”?
Pavarësia e Kosovës, megjithatë, është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa aneksimin e territoreve të Ukrainës e njeh vetëm Rusia.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në një opinion këshillues të dhënë në korrik të vitit 2010, ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Disa media në Serbi i kanë interpretuar mesazhet e tilla nga Rusia dhe krahasimet me Kosovën si “thikë pas shpine” ndaj Serbisë.
Në versionin e fundit të muralit në Beograd, të parë nga Radio Evropa e Lirë më 4 tetor, shkronja “b” në fjalën “vëlla” (v.j. brat në serbisht) është ngjyrosur me ngjyrë të kuqe.
Sytë dhe goja e Putinit janë lyer, po ashtu, me ngjyrë të kuqe dhe në rusisht është shkruar “s’ka luftë”, si dhe disa fjalë fyese.
Serbia nën kritikat e BE-së
Serbinë, sipas paralajmërimeve të diplomatëve evropianë, e pret një retorikë më e ashpër nga Brukseli.
Në një draft-raport për strategjinë e re të BE-së për procesin e zgjerimit, e cila mban datën 26 shtator dhe është parë nga REL-i, thuhet se Parlamenti Evropian do t’i kërkojë BE-së që t’i pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë, derisa Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Tregues i parë i fjalorit të ashpërsuar, siç është paralajmëruar, do të jetë paketa e ardhshme e zgjerimit, e cila do të publikohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor.
Efekt negativ ka pasur edhe një marrëveshje mes ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe atij të Serbisë, Nikolla Sellakoviq, e cila është nënshkruar më 23 shtator.
Në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ata kanë nënshkruar Planin e Konsultimeve të Ministrive të Jashtme të të dyja vendeve për dy vjetët e ardhshëm.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë më 26 shtator se blloku është “seriozisht i shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë.