Trump dhe Biden, në përpjekjet e fundit për t’i bindur votuesit

Ilustrim

Me vetëm edhe një ditë deri në zgjedhje, dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Joe Biden, po bëjnë përpjekje t’i bindin votuesit e pavendosur.

Numri i madh i votave të hereshme - mbi 90 milionë, apo rreth 65 për qind e pjesëmarrjes totale në zgjedhjet e vitit 2016 - pasqyron një interesim të madh për garën, në një vend thellësisht të ndarë.

Sondazhet e opinionit e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit 270 votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

Biden bëri dy paraqitje të dielën në Pensilvani - një shtet që Trump mezi e ka fituar në vitin 2016, por që, sipas sondazheve, tani udhëhiqet nga Biden.

SHIKONI EDHE: Trashëgimia presidenciale: Traditat, kërcënimet dhe zhvillimet e pritshme

Në Filadelfia, qytetin më të madh të Pensilvanisë, Biden apeloi te komuniteti afrikano-amerikan dhe kërkoi nga secili që nuk ka votuar ende, të paraqitet në ditën e zgjedhjeve.

“Çdo ditë shohim pabarazi racore në çdo aspekt të këtij virusi”, tha Biden, duke aluduar në përgjigjen e administratës Trump ndaj pandemisë së koronavirusit.

Biden tha se përgjigjja ishte “pothuajse kriminale” dhe se pandemia ka shkaktuar numër të madh viktimash në mesin e komunitetit afrikano-amerikan.

Ai po ashtu u zotua se do ta adresojë “racizmin sistemik” në Shtetet e Bashkuara.

Kandidatja e Bidenit për zëvendëspresidente, senatorja Kamala Harris, bëri fushatë në Xhorxhia, një bastion i vjetër i republikanëve, që demokratët shpresojnë ta kthejnë, nëse afrikano-amerikanët dalin masovikisht për të votuar.

Nëse zgjidhet, Harris, me njërin prind nga India dhe tjetrin nga Xhamajka, do të jetë zëvendëspresidentja e parë me ngjyrë.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump dhe Biden: Premtime krejt të ndryshme për çështjet e brendshme

Presidenti Trump, në anën tjetër, mbajti të dielën një varg tubimesh në Miçigen, Ajoa, Karolinë të Veriut, Xhorxhia dhe Florida.

Ai po bën përjekje ta portretizojë veten si president që do të sjellë prosperitet ekonomik, ndërsa e minimizon pandeminë e koronavirusit, duke thënë se është drejt fundit.

Trump po ashtu thotë se demokratët janë një “turmë e krahut të majtë”, që do t’i rrisin taksat dhe do ta shkatërrojnë ekonominë, duke e izoluar vendin për të frenuar pandeminë.

Biden ka thënë se do ta mposhtë virusin pa e mbyllur sërish ekonominë.

Trump, pa sjellë ndonjë provë, ka pretenduar se fletëvotimet me postë janë të ndjeshme ndaj mashtrimeve dhe ka thënë së voni se vetëm rezultatet e disponueshme në natën e zgjedhjeve duhet të llogariten.

Your browser doesn’t support HTML5

Koronavirusi - një pikë e nxehtë e zgjedhjeve në SHBA

Zyrtarët në disa shtete, përfshirë Pensilvaninë, thonë se mund të duhen disa ditë për t’i numëruar të gjitha fletët e votimit me postë, që do të thotë se mund të ketë ditë pasigurie nëse rezultati i zgjedhjeve varet nga shtete si Pensilvania.

Trump ka paralajmëruar kaos nëse nuk ka fitues të qartë menjëherë pas zgjedhjeve, duke thënë se mund të duhen javë për të përcaktuar rezultatin dhe se “gjëra shumë të këqija” mund të ndodhin ndërkohë.

“Do të angazhojmë avokatët tanë” sapo të mbyllen votimet në shtetet kritike si Pensilvania, tha Trump të dielën.

Duke komentuar një raport të agjencisë së lajmeve Axios, se Trump u ka thënë njerëzve të tij se do ta shpallë fitoren në natën e zgjedhjeve nëse duket se është përpara, edhe nëse rezultati i Kolegjit Zgjedhor është i paqartë, Biden tha: “Presidenti nuk do t’i vjedhë këto zgjedhje”.

Trump u tha gazetarëve se raporti ishte i rremë, por shtoi se është një “gjë e tmerrshme” që fletët e votimit të numërohen pas zgjedhjeve.

Përgatiti: Valona Tela