Në vitin 1997, Qeveria e Pakistanit ka dëbuar 14 ujgurë, të akuzuar nga Pekini për terrorizëm. Është thënë se ata kanë bërë komplot për të ndarë Ksinjiangun - provincën perëndimore të Kinës, të banuar me shumicë myslimane - nga pjesa tjetër e vendit. Me të arritur përtej kufirit me Kinën, ata janë ekzekutuar.
Sipas një databaze të re, të publikuar më 24 qershor, ky rast është i pari i dokumentuar i ujgurëve të ekstraduar me kërkesë të Kinës.
Në total, databaza përfshin 1.546 raste të ndalimit dhe dëbimit në 28 vende - nga incidenti i vitit 1997 deri në mars, 2021.
Databaza, e titulluar Shtypja Transnacionale e Ujgurëve në Kinë, është një nismë e përbashkët e Shoqatës Oxus për Çështje të Azisë Qendrore dhe Projektit Ujgur për të Drejtat e Njeriut.
Ajo tregon se fushata e Kinës kundër ujgurëve ka marrë karakter global, duke u zgjeruar me shpejtësi nga Azia Qendrore dhe Jugore në Evropë, Lindje të Mesme dhe Azi Juglindore.
SHIKONI EDHE: AI: Kina po kryen krime kundër njerëzimit në KsinjiangRaporti nga databaza dokumenton se si qeveritë - kryesisht nga vendet me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme dhe Azi - kanë bashkëpunuar me Pekinin për të vëzhguar, ndaluar dhe riatdhesuar ujgurët dhe pakicat e tjera myslimane nga Kina, që janë larguar nga Ksinjiangu.
“Ka pasur shumë kritika kundër vendeve me shumicë myslimane për heshtjen e tyre ndaj Ksinjiangut dhe shtypjen e ujgurëve”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Bradley Jardine, drejtor i hulumtimit në Oxus dhe autor kryesor i raportit.
“Kjo databazë tregon se nuk është vetëm hipokrizi e botës islamike, por edhe bashkëpunim aktiv me Kinën”, është shprehur Jardine.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut vlerësojnë se 1 milion ose më shumë ujgurë, kazakë dhe myslimanë të tjerë janë ndaluar në kampe të internimit në Kinë. Shumë ish-të paraburgosur thonë se u janë nënshtruar përpjekjeve për indoktrinim, abuzimit fizik e madje edhe sterilizimit.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe disa parlamente perëndimore i kanë përshkruar veprimet e Kinës në Ksinjiang si gjenocid, por shumica e qeverive të shteteve me shumicë myslimane - të cilat kanë lidhje të ngushta financiare dhe politike me Pekinin përmes Nismës së Rripave dhe Rrugëve të Kinës (BRI) - kanë qëndruar të heshtura ndaj çështjes.
SHIKONI EDHE: Kina: Pretendimet për gjenocid ndaj ujgurëve janë absurdeSipas raportit, përpjekjet për të shënjestruar ujgurët dhe për t’i detyruar të kthehen në Kinë janë intensifikuar prej vitit 2017, kur Pekini besohet se ka nisur programin e tij të internimit masiv në Ksinjiang.
“Përmes këtyre praktikave, Qeveria e Kinës është në gjendje të rrisë shtypjen dhe kontrollin mbi ujgurët përtej kufijve sovranë”, thuhet në raport.
Një fushatë e brendshme bëhet globale
Qeveria e Kinës fillimisht e ka mohuar ekzistencën e kampeve në Ksinjiang, por më vonë ka thënë se këto qendra të “aftësimit profesional” janë të nevojshme për të luftuar ekstremizmin islamik.
Autoritetet kineze, prej kohësh, i kanë parë me dyshim ujgurët dhe separatistët radikalë ujgurë kanë kryer disa sulme.
Në raport thuhet se trazirat etnike të vitit 2009 në kryeqytetin e Ksinjiangut, Urumki, kanë qenë pikë kthese për Pekinin.
Rreth 200 njerëz kanë vdekur në këto trazira - shumica e tyre pjesëtarë të komunitetit hans. Sulmet e kanë përshkallëzuar situatën e sigurisë në Ksinjiang në vitet në vijim dhe kanë nxitur hakmarrje të shpejtë nga Pekini, në emër të luftimit të ekstremizmit.
Sipas Jardine, kjo ka çuar në largimin e shumë ujgurëve nga Kina, të cilët kanë kërkuar azil dhe status refugjati gjetkë në botë.
“Kjo e ka detyruar Kinën të ketë një shtrirje më globale, ndërsa më parë ishte e përqendruar në zonat fqinje, si Azia Qendrore dhe Pakistani”, ka thënë Jardine.
Your browser doesn’t support HTML5
Databaza nxjerr në pah tri faza të Kinës kundër ujgurëve.
E para është përqendruar kryesisht në zonat fqinje me diasporë ujgure, përkatësisht në Azinë Qendrore dhe Jugore. Në këtë fazë, nga viti 1997 deri më 2007, 89 ujgurë janë ndaluar ose dërguar në Kinë.
Faza e dytë, nga viti 2008 deri më 2013, është zgjeruar në 15 vende dhe ka pasur në shënjestër 130 individë.
Faza e tretë, nga viti 2014 deri në mars, është përshkallëzuar ndjeshëm, me 1.327 persona të ndaluar ose ekstraduar nga 20 vende.
Të dhënat tregojnë një përqendrim të madh në vendet me shumicë myslimane: 647 raste në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe 665 raste në Azinë Jugore.
Sipas të dhënave, 1.151 raste kanë qenë ujgurë të arrestuar në vendet nikoqire, ndërsa 395 kanë qenë dëbime ose ekstradime përsëri në Kinë.
“Këta numra janë vetëm një pikë në kovë. Ne jemi të kufizuar vetëm në njerëz që flasin, por ka shumë më tepër raste të paraportuara që thjesht nuk i dimë”, ka thënë Jardine.
Vëmendja në botën myslimane
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka bërë tituj lajmesh së voni, kur, në një intervistë për mediumin amerikan Axios, ka refuzuar të pranojë ose dënojë abuzimet e pretenduara me të drejtat e njeriut në Ksinjiang.
Islamabadi dhe Pekini mbajnë lidhje të forta dhe Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, në vlerë prej miliarda dollarësh, mbetet projekti kryesor i Nismës së Rripave dhe Rrugëve të Kinës.
Por, sipas databazës, bashkëpunimi i Pakistanit me Kinën, sa u përket ujgurëve, është me dekada i vjetër dhe u paraprin investimeve të shtuara të Pekinit.
“Nuk ka prova për marrëveshje zyrtare për monitorimin e aktiviteteve të ujgurëve, por aktivitetet e Pakistanit në fund të viteve 1990 kanë lënë të kuptohet se një e tillë është arritur, formalisht ose ndryshe”, thuhet në raport.
Ngjashëm, avokatët e grupeve ujgure kanë paraqitur prova të reja në Prokurorinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që tregojnë se Qeveria e Taxhikistanit ka bashkëpunuar me Pekinin për të kthyer ujgurë në Kinë. Ankesa po ashtu thotë se autoritetet taxhike kanë ndihmuar në lehtësimin e kthimit të ujgurëve nga Turqia në Kinë.
SHIKONI EDHE: Pse vendet e Azisë Qendrore qëndrojnë të heshtura për ujgurët e Kinës?Turqia mbetet një vend i rëndësishëm për komunitetin e gjerë ujgur.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka mirëpritur ujgurët për shumë vite. Rreth 40.000 ujgurë jetojnë sot në Turqi.
Erdogan ka qenë kritik ndaj politikave të rënda të Kinës në Ksinjiang, por, kohët e fundit, i ka zbutur vërejtjet e tij, pasi Ankaraja është afruar ekonomikisht me Kinën.
Në dhjetor, Pekini ka ratifikuar një traktat ekstradimi me Turqinë, që daton nga viti 2017. Por, Parlamenti turk nuk e ka bërë ende një gjë të tillë.
Ujgurët frikësohen se ratifikimi i mundshëm mund të çojë në ekstradimin e shumë prej tyre në Kinë, me kërkesë të Pekinit.
”Turqia shihej dikur si strehë e sigurt, por jo më”, ka thënë Jardine.
Sipas tij, Perëndimi duhet të fillojë të shikojë tani zgjerimin e kuotave të refugjatëve.