NATO: Ushtria e Kosovës formohet pas ndryshimeve kushtetuese

Pjesëtarë të FSK-së

Transformimi Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet në pajtim me reformat kushtetuese, ka thënë komandantit i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo.

Sipas tij, të gjithë liderët e Kosovës janë në dijeni se pa ndryshime kushtetuese, FSK-ja nuk mund të shndërrohet në ushtri.

“Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Foggo.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp në selinë qendrore të KFOR-it në Prishtinë.

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, në vazhdimësi është kundërshtuar nga Lista Serbe, e cila përkrahet nga Beogradi. Pa votat edhe të Listës Serbe nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese.

Pas pengesave të shumta, vitin e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte tentuar që transformimin e FSK-së ta bënte përmes një projektligji i cili do të mundësonte shndërrimin e FSK-së në një forcë me kompetenca mbrojtëse, ushtarake.

Iniciativa e Thaçit ishte kundërshtuar nga NATO, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike, e armatosur lehtë dhe me uniformë, e cila aktualisht ka për detyrë të zbatojë operacione në rast të krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione këto për mbrojtjen civile në Kosovë dhe për të ndihmuar autoritetet civile në rast të fatkeqësive elementare dhe rasteve tjera të jashtëzakonshme.

Komandanti Foggo ka folur edhe për kërcënimet e mundshme që mund të vijnë nga Serbia dhe ndikimi i Rusisë në Ballkan, e në veçanti në Kosovë. Përkundër raporteve të mira midis Serbisë dhe Rusisë, Foggo ka thënë se nuk ka vend për shqetësim.

“Ka pasur shitje të armëve, të avionëve, disa avionë që i janë shitur Serbisë, unë nuk do t’i blija, janë MIG 29, të cilët janë të vjetër dhe nuk paraqesin kërcënim”, ka thënë Foggo.

NATO ruan praninë e saj në Kosovë përmes forcës paqeruajtëse, KFOR-it, që ka në mandatin e saj garantimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit.