Fryma përhap zjarr shkatërrues në Turqi

Një burrë 82-vjeçar është gjetur i vdekur, gjatë evakuimit të distriktit të Kepezbelenit, 16 kilometra në verilindje të Manavgatit.

Të paktën dhjetë persona kanë ngelur të ngujuar afër digës së Oimapinarit, ka bërë të ditur ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë.

Autoritetet turke kanë evakuuar 18 fshatra dhe distrikte në Antalia.

Gjashtëmbëdhjetë fshatra janë evakuuar në provincat e afërta të Adanasë dhe Mersinit.

Zjarret kanë djegur shumë shtëpi, teksa zjarrfikësit, me ndihmën e helikopterëve, janë përpjekur t’i shuajnë flakët.

Flakët e përhapura nga erërat e fuqishme kanë shkatërruar edhe shumë automjete.

Edhe kafshët kanë pësuar nga zjarri i egër.

Autoritetet turke kanë thënë se është herët të përcaktohet shkalla e dëmeve.

Prefekti i Manavgatit ka thënë se shkatërrim si ky s’është parë kurrë më herët atje.

Sipas prefektit të Antalias, zjarri ka filluar në katër pika të ndryshme.

Autoritetet turke kanë thënë se tani për tani nuk mund të thuhet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin e egër.

Antalia, destinacion i popullarizuar për turistët e huaj dhe ata vendës, njihet për nxehtësinë përcëlluese të verës.

Turqia ka angazhuar një avion, 19 helikopterë, 108 automjete dhe 400 zjarrfikës për të luftuar zjarret.

Zjarri, që ka ndodhur teksa Turqia po ballafaqohet me një varg katastrofash të shkaktuara nga kushtet e motit ekstrem në javët e fundit, ka djegur shumë gjallesa të natyrës.