Frikë dhe shpresë ndërsa afrohet beteja për Pokrovskun
Një grua duke ecur në periferi të Pokrovskut në fillim të dhjetorit.
Në ditët e para të pushtimit rus në shkallë të plotë, kolegët e mi dhe unë ishim vendosur në Pokrovsk, ku kafenetë, restorantet dhe qendrat tregtare ofronin një pushim nga vijat e para. Tani po e shohim teksa po bie. Që nga viti 2022, kam parë shumë qytete të pushtuara nga lufta. Disa bien shpejt dhe zhduken nga titujt e gazetave, të tjera qëndrojnë në fund të hidhur: Severodonjeck, Lisiçansk, Soledar dhe të tjera mbeten të njohura vetëm për ushtrinë dhe gazetarët. Tani Pokrovsku është në atë listë.
Një grua duke kaluar pranë një kinemaje me një pankartë me mbishkrimin "Pokrovsku - forca e klanit kozak".
Ora policore në Pokrovsk është në fuqi nga tre pasdite deri në orën 11:00 të ditës tjetër. Sapo të hiqet ora e ndalimit, ne parkojmë veturën tonë dhe ecim nëpër rrugët e qytetit. Vetëm një pjesë e vogël e njerëzve janë jashtë dhe përreth. Në sfond dëgjohet artileria nga jugu dhe lindja, ku forcat ruse po përparojnë nga të dy drejtimet.
Shumë dyqane këtu janë të mbyllura dhe me sa duket të braktisura. Svitlana Yaroslavovna (në foto) po mban ende hapur një dyqan të vogël ku shet ëmbëlsira, qumësht dhe sallam. “Kur është qetësi, nervozohem. Duket sikur ushtria po na dorëzon. Shpresoj që të mos e bëjë", rrëfen ajo pasi na bëri kafe. “Sepse [vendbanimet e afërta Novohrodivka dhe Selidove u dorëzuan të dyja shumë shpejt edhe pse aty kishte fortifikime. Unë nuk jam ushtare, por do të doja që të mos i kishin lënë të binin”.
"Dhëmbët e dragoit" pengesa antitank në Pokrovsk.
Furnizuesit për dyqanin ushqimor të Yaroslavovnas vijnë ende çdo ditë jave, na thotë ajo, por disa shoferë kanë frikë të hyjnë në qendër të qytetit. "Ne i takojmë ata pas urës dhe i bartim produktet, pastaj i futim ato".
Nëse trupat ruse vazhdojnë të afrohen, Yaroslavovna thotë: "Unë do ta mbyll dyqanin dhe do të iki me qentë dhe macet, për të cilat po kujdesem këtu. Unë përfundimisht nuk do të jetoj këtu nën rusët, nëse fronti afrohet më shumë. Por, tani për tani, do të qëndroj këtu për aq kohë sa të mundem”.
Qyteti dalëngadalë ngjallet ndërsa ne vazhdojmë të ecim, njerëzit shfaqen duke bartur ujë dhe ushqim. Aty pranë funksionon një treg i improvizuar. Ndihet pothuajse si çdo mëngjes normal dimri në një qytet lindor provincial, vetëm jehu i shpërthimeve pranë të rikujton gjendjen e luftës në Pokrovsk.
Në disa periferi ka ende energji elektrike dhe gaz, por ngrohja qendrore nuk funksionon më në Pokrovsk. Njerëzit i ngrohin apartamentet e tyre me ngrohje elektrike ose stufa gazi.
Mbetjet e një ndërtese duke u djegur në Pokrovsk që u rrënua e tëra nga një bombë rrëshqitëse ruse.
Donetskoblhaz SHA, kompania që bën furnizimin me gaz dhe energji elektrike në Pokrovsk thotë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ekipet e tyre të riparimit të punojnë mes bombardimeve të shpeshta. Kompania njoftoi se që nga 12 dhjetori, do t'i pezullojë furnizimet me gaz për shkak të "pasojave në sistemin e shpërndarjes së gazit".
Një banor i Pokrovskut duke mbushur ujë nga një prej pikave të pakta të furnizimit në qytet.
Një nga sfidat më të mëdha për banorët e Pokrovskut është furnizimi me ujë. Ata thonë se forcat ruse shkatërruan stacionet e pompimit të ujit jashtë qytetit në gusht të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë shumica e ujit sigurohet me cisterna të organizuara nga qeveria lokale dhe organizatat humanitare.
Antoni duke i mbushur enët me ujë në ditën e tij të pushimit.
Ky banor vendas evakuoi familjen e tij, por ka mbetur për të punuar në një minierë në Pokrovsk që ishte ende në funksion në fillim të dhjetorit. “Mendoj se të gjithë po mendojnë të largohen. Vetëm ata që presin që [rusët ta marrin kontrollin] nuk e mendojnë", thotë ai. "Shpresoj se [ushtria e Ukrainës] do t'i largojë ata dhe ne mund të vazhdojmë të jetojmë këtu".
Vasyl, një vendas i moshuar duke kaluar një rrugë të zbrazët në Pokrovsk.
"Miqtë e mi kanë shkuar në rajonin e Dnipropetrovskut", na thotë ai. “Të varfrit po vuajnë kudo. Askush nuk ka nevojë për njerëzit. Kjo është një luftë për territor, jo për njerëz. Unë jam 81 vjeç. Unë mendoj se nëse [rusët] rivendosin rend, do të ketë ngrohje, gaz, e kështu me radhë.
"Jam shumë i sinqertë, por njerëzit mezi do t'ia dalin [deri atëherë]".
Mbishkrimi informues, "Farmacia punon" në një objekt në Pokrovsk.
Së bashku me farmacitë, kafenetë dhe një librari, befasia më e madhe ishte një dyqan celularësh, Apple Store, që funksiononte ende në fillim të dhjetorit. Megjithëse ndoshta derisa po e shkruaj këtë, ajo tashmë është mbyllur.
Kambanat në katedrale fillojnë të bien, duke i ftuar besimtarët në lutje dhe duke mbytur për një moment zhurmat e luftës. Kambanat frikësojnë një tufë pëllumbash, që përplasin krahët në ajër dhe më pas vendosen në bllokun e apartamenteve të epokës sovjetike, dritaret e të cilit janë të veshura me copa dërrasash.
Një banore duke ecur me qenin e saj.
Edhe pse nën petkun e luftës për vite me radhë, momente si ky - shfaqja e shpresës për jetë mes shkatërrimit dhe vdekjes, janë gjithmonë befasuese. Kafshët duket se janë mësuar me sfondin e shpërthimeve dhe nuk shfaqin shenja frike.
"Ne jetojmë, vazhdojmë të shpresojmë", na thotë Valentyna Vasylivna (që shihet në foto) derisa ecën nëpër qytetin e saj të dëmtuar nga lufta. "Unë kam një pension prej 2.700 hryvnia (65 dollarë) në muaj. Ku do të shkoja? Muret e apartamentit më mbajnë ngrohtë, kjo është shtëpia ime”.
Në stacionin hekurudhor të Pokrovsk platformat janë bosh. Ky njeri i pastrehë po përpiqej të qëndronte ngrohtë në një thes gjumi dhe të flinte.
Një burrë shtyn një qerre të improvizuar ku kishte ngarkuar dru zjarri. Pas tij është rruga drejt Shevçenkos, ku forcat ruse po përparojnë aktualisht nga jugu.
Disa civilë, me të cilët folëm, na treguan për miqtë dhe fqinjët që po kthehen në Pokrovsk, pavarësisht situatës së pasigurt që mbretëron. Disa nuk mund të gjenin punë diku tjetër dhe mbetën pa para; të tjerët nuk mund të mësoheshin të jetonin larg qytetit të tyre. Shumë thonë se e vetmja ndihmë shtetërore që marrin refugjatët e regjistruar është një pagesë prej 11.000 hryvna, (265 dollarë) dhe ata njerëz që largohen me mjetet e tyre nuk mund të llogarisin në këtë.
Një shenjë rrugore, Pokrovsk, në periferi të qytetit.
Ne largohemi nga Pokrovsku me zemër të rënduar. Duket se mund të kthehemi së shpejti në qytet për të filmuar betejat në rrugë. Kujtojmë fjalët e shitëses Svitlana Yaroslavovna: "Unë kam besim te Zoti dhe forcat e armatosura të Ukrainës, këtu e vendos shpresën time".