Frigoriferë nëpër rrugët e Evropës për ta parandaluar prishjen e ushqimit

Fotografi ilustruese nga arkivi.

AP

Koka e marules me të cilën ke harruar të bësh sallatë ka nisur të thahet? Keni blerë shumë ushqime para se te niseni për pushime?

Në përpjekje e sipër për t’iu ndihmuar konsumatorëve miqësorë me natyrën, një kompani joqeveritare në Gjenevë është duke e shtuar numrin e frigoriferëve në ambiente publike, me mundësinë që restorantet, apo banorët tjerë që gatuajnë në shtëpi, të mund t’i mbushin ata me ushqimet që mund t’iu prishen.

Ky hap është pjesë e një përpjekjeje edhe më të madhe nga komunitetet në Zvicër, dhe disa shtete tjera evropiane, që të kontribuojnë në mbrojtje të natyrës, përmes shmangies së prishjes së ushqimit.

Kompania joqeveritare Free-Go – emri i së cilës rrjedh nga ‘frigo’, fjalë e përdorur nga shumë shtete për frigoriferin –i ka shpërndarë disa pajisje të tilla nëpër Gjenevë, kryesisht në vendet ku këmbësorët mund të marrin falas pemë, perime, bukë, kroasantë dhe ushqime tjera.

SHIKONI EDHE: Si po depërton mikroplastika në ushqimin që konsumojmë?

Programi kushton rreth 40.000 dollarë në vit dhe gëzon mbështetjen e shumë grupeve bamirëse dhe Qeverisë lokale.

Projekti është prezantuar vitin e kaluar me vetëm një frigorifer jashtë një qendre komuniteti në perëndim të Gjenevës, dhe tani i ka katër të tillë, të shpërndarë në mënyrë strategjike rreth qytetit.

I pesti pritet të vendoset në qytet deri në fund të vitit.

Marine Delevaux, drejtore e projektit, ka thënë se ushqimi i depozituar zhduket fluturimthi brenda një ore.

Për arsye shëndetësore dhe të rregulloreve tjera, aty nuk lejohet të dërgohen ushqime të ngrira, të hapura, gjella të përgatitura, apo alkool.

Free-Go është duke eksperimentuar edhe me vizita nëpër disa ndërtesa banesore për t’ua lehtësuar banorëve pjesëmarrjen në program.

Ajo e ka krijuar edhe një linjë telefonike, përmes së cilës punëtorët e restoranteve mund ta kontaktojnë organizatën për ushqimin e papërdorur.

“Në përgjithësi, kur mblidhet ushqimi nga dyqanet dhe restorantet në mëngjes, njerëzit mezi presin t’i marrin ato”, ka thënë Delevaux, duke shtuar se frigoriferi i parë në Gjenevë ka kontribuuar në ruajtjen e rreth 3.2 tonëve të ushqimit.

Prej sasisë totale të ushqimit të dhuruar, vetëm rreth 3 për qind nuk është konsumuar.

Free-Go ka thënë se kontribuuesit e ushqimit nga sektori privat – sikurse restorantet apo shitësit tjerë – duhet të zotohen se ushqimi i dhuruar është i sigurt për t’u ngrënë.

Ligji zviceran thotë se ushqimi pas “datës së rekomanduar të përdorimit” mund të konsumohet deri në një vit më pas, ka thënë Delevaux.

Qeveria zvicerane vlerëson se gati një e treta e të gjitha produkteve ushqimore për konsum përfundon të shportë të mbeturinave – apo rreth 330 kilogramë për person çdo vit.

Free-Go vlerëson se nj miliard ton me ushqime përfundojnë duke u prishur çdo vit në botë, ndonëse për krijimin e tyre është përdorur energji dhe burime tjera në prodhim dhe transportim.

“Shpërdorimi i ushqimit nuk është vetëm çështje etike dhe ekonomike, por gjithashtu e shkatërron mjedisin me burime të kufizuara natyrore”, ka thënë Komisioni Evropian.

SHIKONI EDHE: Frika nga cilësia e ushqimit 

Fushata të ngjashme për ruajtje të ushqimit janë duke u zbatuar edhe në Bern, pasi ideja është importuar nga Gjermania.

Sipas Foodsharing.de, grup në Gjermani që e ka jetësuar këtë ide më shumë se një dekadë më parë, më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gjermani, Francë dhe Austri, e kanë kthyer iniciativën në lëvizje ndërkombëtare, dhe kanë ndihmuar në ruajtjen e 83 milionë tonëve të ushqimit, duke e parandaluar prishjen.

Për shkak që ushqimi është falas, donacionet ndryshojnë nga dita në ditë dhe disa konsumatorë çasti mund të përfundojnë të zhgënjyer.

Shala Moradi, 65-vjeçare nga Irani, që jeton në Gjenevë që një dekadë, ka thënë se ka qenë në kërkim të bukës, por nuk ka pasur.

Megjithatë, ajo e vlerëson iniciativën.

“Është shumë e mirë. Mund të marrë dredhëza, qershi, produkte të ngjashme. Pjesa që janë falas, më pëlqen po ashtu”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Severine Cuendet, mësuese 54-vjeçare, që e ka oborrin e mbushur me perime, ka thënë se dërgon ushqime vazhdimisht, sepse “ka shumë” dhe e ka duartrokitur iniciativën, “sepse kjo lagje ka shumë nevojë”.

“Kjo na ndodh të gjithëve neve që blejmë shumë”, ka thënë ajo e buzëqeshur.

Përgatiti: Krenare Cubolli