Organizata Freedom House, me seli në Uashington, publikoi raportin vjetor, ku vlerëson se Kosova dhe Shqipëria mbesin vende “pjesërisht të lira”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.
Në Raportin për Lirinë në Botë, Kosova këtë vit vlerësohet me 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar.
Në të kaluarën, organizata Freedom House e kishte cilësuar Kosovën si vend në tranzicion me një sistem hibrid të qeverisjes.
SHIKONI EDHE: Liria në botë: Kosova, ndër vendet me përmirësimet më të mëdhaNë indeksin e Lirisë Globale, Shqipëria vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë, në raport me vlerësimin e vitit të kaluar.
Shqipëria, po ashtu, konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes.
Raporti, që vlerësoi përparimin e 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar te vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “një situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.
Sipas organizatës Freedom House, të drejtat politike shënuan rënie për 18 vjet me radhë.
Rënie u shënua në 52 shtete, ndërkohë që vetëm 21 shënuan përmirësim gjatë vitit 2023.
Aktualisht, nga 195 vendet dhe territoret e vlerësuara, sipas raportit, shumica e popullsisë së botës, rreth 80 për qind, jeton në vende që klasifikohen si pjesërisht të lira apo jo të lira.