Francezët votojnë në zgjedhje parlamentare që mund ta sjellin në pushtet të djathtën ekstreme

Njerëzit duke pritur në radhë për të votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë, në një qendër votimi në Paris, 7 korrik.

Francezët kanë filluar të votojnë të dielën herët në rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare që do ta ndryshojnë peizazhin politik, pasi sondazhet kanë parashikuar se partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, do të fitojë më së shumti vota, edhe pse pamjaftueshëm për ta siguruar shumicën.

Një rezultat i tillë pritet ta fusë vendin në një krizë politike, pak javë para se të fillojnë Lojërat Olimpike, si dhe pritet t’ia dobësojnë dukshëm pushtetin presidentit Emmanuel Macron.

Nëse Tubimi Kombëtar nacionalist dhe euroskeptik e fiton shumicën në Parlament, atëherë Macron do ta gjejë veten në një situatë shumë të vështirë “mbijetese”.

Dalja në zgjedhje deri në mesditë ka qenë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara. Deri në orën 12:00 votuan 26.3 për qind, krahasuar me 18.99 për qind gjatë rundin të dytë të zgjedhjet e vitit 2022, tha Ministria e Brendshme e Francës.

Your browser doesn’t support HTML5

E djathta ekstreme drejt pushtetit në Francë: Çfarë mund të ndodhë tutje?

Tubimi Kombëtar, i udhëhequr nga Marine Le Pen, shënoi arritje historike në rundin e parë të zgjedhjeve të dielën e kaluar, duke i rritur gjasat që Franca ta ketë një qeveri të udhëhequr nga e djathta ekstreme për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, pasi partitë e qendrës dhe ato majtiste i bashkuan forcat gjatë javës së fundit në përpjekje për ta parandaluar triumfin e Tubimit Kombëtar, shpresat e Marine Le Penit për ta fituar shumicën dërrmuese në Asamblenë Kombëtare, e cila ka 577 ulëse, janë shuar dukshëm.

Sondazhet sugjerojnë se Tubimi Kombëtar do ta mbizotërojë legjislativin, por do të dështojë ta arrijë shumicën prej 289 ulëseve.

Qendrat e votimit u hapën në orën 8:00 dhe do të mbyllen në orën 18:00 në qytete të vogla dhe në qyteza, ndërsa në orën 20:00 në qytete të mëdha.

SHIKONI EDHE: A është fitorja e djathtistëve në Francë pikë kthese për Evropën?

Parashikimet e para të rezultatit zgjedhor pritet të publikohen menjëherë pasi të ketë përfunduar votimi.

Rezultati do të varet kryesisht nga vendimi i votuesve për t’i pranuar apo jo thirrjet e aleancave për ta pamundësuar ardhjen e Tubimit Kombëtar në pushtet.

Edhe nëse Tubimi Kombëtar nuk ia del ta fitojë shumicën dërrmuese në Parlament, kjo parti është në rrugë për ta fituar dyfishimin e 89 ulëseve që i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2022, dhe të ketë rol kyç në një Parlament me mungesë shumice, i cili do ta bëjë shumë të vështirë qeverisjen e Francës.

Një rezultat i tillë rrezikon të sjellë ngërç politik derisa të përfundojë mandati presidencial i Macronit më 2027, kur Le Pen pritet të garojë për herë të katërt për postin kryesor të Francës.