Franca thirr ambasadorët për konsultime pas pakënqësive për paktin Aukus

Presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Franca ka njoftuar se ka thirrur për konsultime ambasadorët që ka në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, si shenjë proteste ndaj një marrëveshjeje për sigurinë, që përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se “vendimi i jashtëzakonshëm” është arsyetuar nga “gravitacioni i jashtëzakonshëm” i situatës.

Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor.

Ky vendim ka zemëruar Francën, e cila ka nënshkruar marrëveshje në vlerë të disa miliarda dollarëve me Australinë.

Marrëveshja është parë si përpjekje për përballje me ndikimin e Kinës në rajonin e Detit të Kinës Jugore.

SHIKONI EDHE: Një pakt i mbrojtjes me sytë nga Kina

Marrëveshja është bërë publike të mërkurën nga presidenti amerikan, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe homologu i tij australian, Scott Morrison.

Franca është informuar nga aleanca vetëm disa orë pasi është bërë njoftimi zyrtar.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, ministri francez Le Drian, i cili e ka përshkruar marrëveshjen “thikë në shpinë”, ka thënë se ambasadorët janë thirrur me kërkesë të presidentit Francez, Emmanuel Macron.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

“Marrëveshja përbën sjellje të papranueshme në mes të aleatëve dhe partnerëve, pasojat e të cilëve ndikojnë drejtpërdrejt në vizionin që kemi për aleancën tonë, partneritetin tonë dhe rëndësinë e Indo-Paqësorit për Evropën”, ka thënë Le Drian.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se administrata Biden ka ndjerë keqardhje për këtë vendim, dhe se do të jetë në kontakt me Francën për të diskutuar dallimet.

Duke folur në Uashington, ministrja e Jashtme australiane, Marise Payne, ka thënë se e kupton “zhgënjimin” e Francës dhe shpreson se do të punojë me këtë shtet për ta siguruar se “vlerëson marrëdhëniet bilaterale”.

Thirrja e ambasadorëve është veprim tejet i rrallë në mes të aleatëve dhe besohet se është veprimi i parë i tillë nga Franca për të dërguarit në SHBA dhe Australi.

Diplomatët francezë në Uashington tashmë kanë anuluar një ceremoni për të festuar lidhjet në mes të SHBA-së dhe Francës, që ishte planifikuar të mbahej të premten, më 17 shtator.

SHIKONI EDHE: Kina dënon paktin e sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë

Marrëveshja e arritur së fundmi nënkupton se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që ka nëndetëse me kapacitet bërthamor.

Sipas marrëveshjes, vendet aleate do të këmbejnë kapacitetet kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologji tjera nënujore.

Njoftimi i ka dhënë fund marrëveshjes në vlerë të 37 miliardë dollarëve që Franca ka nënshkruar me Australinë më 2016 për të ndërtuar 12 nëndetëse.

Kina, në anën tjetër, ka akuzuar tri fuqitë për “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli