Franca me ndihmë për Libanin në vlerë prej 100 milionë eurosh

Presidenti francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elize në Paris më 23 tetor 2024.

Franca do t’i japë Libanit një paketë të ndihmës në vlerë prej 100 milionë eurosh, bëri të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një konference ndërkombëtare në Paris më 24 tetor.

Macron tha se “është e nevojshme që ndihma masive e menjëhershme për popullin libanez, si për qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga lufta, por edhe për komunitetet që po i strehojnë”.

Lufta mes Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike libaneze – dhe Izraelit ka detyruar 1 milion persona të zhvendosen në Liban.

Si pasojë e luftimeve, më shumë se 2.500 persona janë vrarë dhe është thelluar kriza ekonomike në Liban.

Organizatorët francezë të konferencës ndërkombëtare kanë thënë se shpresojnë që pjesëmarrësit të zotohen për ndihmë humanitare që do të arrijë shifrën prej 426 milionë dollarësh, që sipas Kombeve të Bashkuara, i duhen urgjentisht Libanit.

SHIKONI EDHE: Kriza në Lindje të Mesme po përshkallëzohet, zgjidhjet diplomatike po zbehen

Parisi po ashtu ka thënë se dëshiron të ndihmojë në rivendosjen e sovranitetit në Liban dhe forcimit të institucioneve të këtij shteti.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.

Tensionet u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji, me Izraelin që kryen sulme ajrore në mbarë Libanin dhe ka nisur një operacion tokësor në jug të këtij shteti, ku ka prani të Hezbollahut.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.