Franca kritikohet për diskriminim racor dhe dhunë policore

Protestues në Toulouse të Francës gjatë një proteste kundër dhunës policore, më 10 qershor 2020.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kritikoi të hënën, më 1 maj, mungesën e supozuar të respektimit të të drejtave të njeriut në Francë, duke deklaruar se ka sulme ndaj emigrantëve, diskriminim racor dhe dhunë policore.

Këshilli i OKB-së diskutoi situatën e të drejtave të njeriut në Francë për më shumë se tre orë. Diskutimet e tilla janë pjesë e procedurave të cilave u nënshtrohen rregullisht çdo katër vjet të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Një numër i madh vendesh, përfshirë SHBA-në dhe Tunizinë, i bënë thirrje Francës që të shtojë përpjekjet në luftën kundër dhunës dhe diskriminimit racor.

“Ne rekomandojmë që Franca t’i intensifikojë përpjekjet e saj në luftën kundër krimeve dhe kërcënimeve për dhunë me motive të urrejtjes fetare, si antisemitizmi dhe urrejtja antimyslimane”, tha përfaqësuesja e SHBA-së në këtë organ të OKB-së, Kelly Billingsley.

Delegacioni kinez tha se kishte një rritje të racizmit dhe ksenofobisë dhe i bëri thirrje Francës të ndalojë marrjen e “masave që shkelin të drejtat e emigrantëve”.

SHIKONI EDHE: Politikat e BE-së për migrimin lënë shumë refugjatë në rrugë

Brazili dhe Japonia kritikuan diskriminimin racor, ndërsa Afrika e Jugut u bëri thirrje autoriteteve franceze “ta sigurojnë një hetim të paanshëm në të gjitha rastet e incidenteve raciste që përfshijnë zyrtarë policorë”.

Gjatë muajve të fundit, në Francë janë shumëfishuar kritikat kundër përdorimit të forcës që konsiderohet e tepruar ndaj protestuesve që kundërshtojnë reformën e pensioneve.

Delegacioni francez njoftoi në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut se “përdorimi i forcës është rreptësishtë i mbikëqyrur, i kontrolluar dhe, në rast të sjelljes së papërshtatshme, i sanksionuar”, ndërsa gjithashtu shtoi se “Franca dënon çdo lloj të profilizimit racor”.