Të mërkurën në Francë, ka hyrë në fuqi një pasaportë e re shëndetësore për koronavirus, teksa ky vend përballet me raste të reja të infektimit.
Tani e tutje njerëzit duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, kanë test negativ apo janë shëruar nga koronavirusi, në mënyrë që të mund të hyjnë në shumicën e kinemave dhe muzeve.
Më vonë gjatë ditës, ligjvënësit do të debatojnë nëse një masë e tillë do të vlejë edhe për të hyrë në kafiteri, restorante dhe qendra tregtare.
Kjo masë nis të zbatuari pasi ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran, ka raportuar për 18,000 raste të reja të infektimit në vetëm 24 orë.
Kjo shifër është krahasuar me më pak se 7,000 raste në ditë javën e kaluar, çka përbën rritje prej 150 për qind.
“Nuk kemi parë diçka të tillë më parë”, ka thënë ai para Asamblesë Kombëtare, duke thënë se varianti Delta është duke rritur numrin e rasteve dukshëm më shpejt sesa variantet tjera.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur këtë muaj vendimin për pasaportën shëndetësore, si dhe vaksinimin e detyrueshëm për të gjithë punëtorët shëndetësorë, deri në muajin shtator.
SHIKONI EDHE: Franca ngutet për t'u vaksinuarPër këtë arsye, francezët kanë protestuar, si dhe është raportuar për dëmtim të rëndë të dy qendrave të vaksinimit.
Sondazhet tregojnë për hezitim të konsiderueshëm për t’u vaksinuar në këtë shtet.