Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje qytetarëve të ndalojnë blerjen e mallrave franceze, duke iu bashkuar thirrjeve në të gjithë botën myslimane për një bojkot të produkteve franceze.
Thirrjet bëhen si protestë për imazhet që shfaqen në Francë të Profetit Muhamed, veprim të cilin myslimanët e shohin si blasfemi.
Deklarata e Erdoganit ka bërë që Parisi ta tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja.
SHIKONI EDHE: Erdogan u bën thirrje turqve që t’i bojkotojnë mallrat francezeFranca u ka kërkuar vendeve të Lindjes së Mesme t'i japin fund thirrjeve për bojkot të mallrave të saj. Produktet franceze janë hequr nga disa dyqane në Kuvajt, Jordani dhe Katar, si protestë ndaj qëndrimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka mbrojtur të drejtën për të publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.
Ministria e Jashtme franceze tha se thirrjet "e pabazuara" për bojkotin e mallrave po "shtyheshin nga një pakicë radikale".
Presidenti francez, Emmanuel Macron është zotuar se do ta luftojë "separatizmin islamik", duke thënë se ai kërcënon ta marrë kontrollin e disa komuniteteve myslimane në Francë.
Franca është tronditur këtë muaj nga prerja e kokës së një mësuesi nga një militant islamik, i cili është hakmarrë për përdorimin e karikaturave të Profetit Muhamed në një orë për lirinë e shprehjes.
Por, t’i kthehemi tregtisë. Është e vështirë të bëhet një konstatim se cili do të jetë ndikimi i bojkotit.
Agjencia Reuters ka renditur disa firma dhe sektorë francezë të biznesit të cilat janë prezentë në vendet me shumicë myslimane. Megjithatë deri më tani nuk ka të dhëna nëse ndonjë prej këtyre kompanive është prekur nga bojkoti. Nuk ka asnjë tregues se ndonjë prej tyre deri më tani është prekur, përveç nëse bëhet ndonjë njoftim ndryshe.
Drithërat
Franca është një eksportuese kryesore globale e produkteve bujqësore dhe 3 për qind e këtyre eksporteve shkojnë në Lindjen e Mesme, sipas lobit të industrisë ANIA. Drithërat përbëjnë një pjesë të madhe të këtyre eksporteve.
Algjeria është tregu i dhjetë më i madh i eksportit të produkteve bujqësore të Francës, sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Bujqësisë, me eksporte në vlerë rreth 1.4 miliard euro në vitin 2019. Maroku, një nga vendet myslimane që dënoi botimin e karikaturave të Profetit Muhamed, qëndron në vendin e 17-të me tregun më të madh të eksportit të produkteve bujqësore vitin e kaluar, me vlerë prej 700 milionë euro.
Grupi ANIA tha se departamenti i tregtisë në Ministrinë e Jashtme ka formuar një qendër krize dhe po zhvillonte komunikime me përfaqësuesit e industrisë bujqësore.
Supermarketet
Në Arabinë Saudite në shënjestër të thirrjeve për bojkot ishte zinxhiri i supermarketeve Carrefour. Një fushatë online për konsumatorët ishte në trend në mediat sociale saudite gjatë fundjavës.
Kompania franceze operon në shumë pjesë të Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore përmes një marrëveshjeje për të drejtat e shitjes me partnerët lokalë. Një partner mban të drejtat ekskluzive për firmën Carrefour në vende duke përfshirë Pakistanin, Libanin dhe Bahrejnin. Një partner tjetër mban të drejtat e ekskluzivitetit të kësaj kompanie për Marokun.
Gazetarët e agjencisë Reuters në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vizituan dy dyqane të Carrefour, të cilat dukej se kishin një qarkullim të zakonshëm. Një përfaqësues i Carrefour në Paris tha se firma nuk kishte ndjerë asnjë ndikim deri më tani nga thirrjet për bojkot.
Energjia
Gjiganti francez i energjisë “Total” është i pranishëm në shumë vende me shumicë myslimane. Në Pakistan, Bangladesh dhe Turqi, vende ku reagimi kundër Francës mbi karikaturat ka qenë më i fuqishëm, kompania franceze është e përqendruar kryesisht në shitjen e produkteve të naftës. Në Arabinë Saudite, si dhe në disa shtete të tjera të Gjirit, “Total” ka bërë investime në kërkime dhe prodhim dhe në disa raste në rafinim.
SHIKONI EDHE: KE: Thirrjet e Erdoganit kundër Francës e largojnë Turqinë nga BE-jaModa dhe luksi
Një dyqan të cilin Reuters e vizitoi të dielën në qytetin e Kuvajtit, produktet e kozmetikës dhe të kujdesit të lëkurës të prodhuara nga L'Oreal ishin larguar nga raftet. Dyqani ishte një nga rreth 70 pikat e lidhura me një unioni bashkëpunimi, që vendosi të ndalojë shitjen e produkteve franceze.
Por, ekspozimi i L'Oreal – së bashku me kompanitë tjera franceze të sektorit të modës – është i kufizuar.
Bashkë me Afrikën, Lindja e Mesme është kontribuuesi më i vogël në të ardhurat e L'Oreal, duke përbërë pak më shumë se 2 për qind të shitjes.
Për firmat e njohura kryesore të modës franceze, Lindja e Mesme përfaqëson një pjesë të vogël të shitjeve krahasuar me Shtetet e Bashkuara, Azinë ose Evropën. Markat e mëdha si Louis Vuitton në pronësi të LVMH ose Chanel në pronësi private, kanë dyqane në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Arabinë Saudite dhe Dubai.
Por, klientët e pasur të Lindjes së Mesme priren të blejnë mallra luksoze kur udhëtojnë në vende tjera larg nga vendi i tyre. Firma LVMH, që gjithashtu zotëron Christian Dior, nuk ka treguar sa është fitimi i saj në Lindjen e Mesme.
Mbrojtja dhe aeronautika
Franca është një nga eksportueset kryesore të armëve në botë. Kompania “Thales” shet armë, teknologji aeronautike dhe sisteme të transporti publik në një numër vendesh me shumicë myslimane. Ndër klientët e saj janë: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Katari, sipas faqes së internetit të kompanisë. Egjipti dhe Katari janë ndër vendet që kanë porositur avionin ushtarak Rafale nga kompania “Dassault”, e cila gjithashtu e sheh rajonin si një treg të madh për fluturaket e saj.
SHIKONI EDHE: Franca u kërkon vendeve arabe të ndalin bojkotin e produkteve francezeVeturat
Prodhuesi francez i automjeteve Renault rendit Turqinë si tregun e tij të tetë më të madh, me 49,131 automjete të shitura atje në gjashtë muajt e parë të këtij viti. PSA, që ka në pronësi markat Citroen dhe Peugeot, tha në rezultatet e saja të fundit financiare se shitjet në Turqi po rriteshin, megjithëse nuk dha shifra.