Fotografitë e javës
Në këtë fotografi, të publikuar më 8 prill në kanalin Telegram të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, shihen njolla gjaku mes valixheve dhe çantave të shpinës. Bombardimet e forcave ruse në një platformë të stacionit hekurudhor në Kramatorsk lanë të vdekur së paku 50 civilë, përfshirë pesë fëmijë.
Një burrë i veshur me maskën e presidentit rus, Vladimir Putin. Prapa tij shihet një ushtar ukrainas mbi një tank të shkatërruar rus në Buça, më 7 prill.
Kampionia olimpike dhe botërore, Ruta Meilutyte, duke notuar në një pellg me ngjyrë të kuqe - që simbolizon gjakun - përpara Ambasadës ruse në Vilnius të Lituanisë.
Pishina e vilës së prezantuesit televiziv rus, Vladimir Solovyov, e vandalizuar me ngjyrë të kuqe. Vila ndodhet pranë Liqenit Komo në Itali. Fotografia është realizuar me dron.
Monumenti i poetit ukrainas, Taras Shevchenko - një figurë e lartë në kulturën ukrainase - duket i dëmtuar nga plumbat në qytetin Borodianka të Ukrainës.
Një kishë ortodokse pranë një rafinerie nafte, që mori flakë pas një sulmi me raketa, pranë qytetit Odesa të Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, flet me gazetarët, pas vizitës në qytetin Buça, ku forcat ruse kanë vrarë dhe masakruar disa banorë, 4 prill.
Banorja vendase, Viktoria Mukhina, mbjell lule me vajzën e saj, Miroslava, pranë një pallati të dëmtuar nga granatimet ruse në qytetin e Mariupolit, më 4 prill.
Mbështetësit e opozitës në Pakistan festojnë votimin e mosbesimit kundër kryeministrit Imran Khan. Karaçi, 10 prill.
Talibanët qëndrojnë roje jashtë një spitali, pas një sulmi me granatë në një xhami në Kabul. Së paku një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën. Incidenti ndodhi në xhaminë Pul-e Khishti - më e madhja në kryeqytetin afgan.
Njerëzit notojnë në një kanal në Karaçi të Pakistanit, ku temperaturat arritën në 37 gradë Celsius, më 6 prill.
Reshje të dendura bore në Moskë, më 6 prill.
Një burrë përgatit pije të ëmbla për njerëzit që agjërojnë në Karaçi të Pakistanit.
Njerëzit duke u lutur përpara iftarit në Peshauar të Pakistanit.
Një punëtore e një dyqani në Teheran mban në duar një tabaka me zoolbia - një ëmbëlsirë e veçantë që shërbehet tradicionalisht për Ramazan.