"Duken të tendosur": Fotografi përshkruan gjendjen në bazën ruse në Siri

Një automjet ushtarak rus i afrohet një hyrjeje në bazën ajrore Hmeimim në perëndim të Sirisë më 15 dhjetor.

Kjo fotografi është një nga disa imazheve të fundit rreth bazës ruse të marra nga Umit Bektas, një fotoreporter turk që punon për agjencinë Reuters, i cili foli për Radion Evropa e Lirë për situatën rreth objektit  ushtarak.

Një aeroplan transportues rus ngrihet nga baza Hmeimim më 15 dhjetor ndërsa një helikopter sulmues fluturon pas.

Bektas thotë se baza është e zënë me avionë, por rreth kompleksit rus, rrugët janë "shumë të qeta... Mund të shihen karroca, një karrige me rrota të hedhura përreth, shumë gjëra të shpërndara në rrugë. Kjo të jep ndjenjën se diçka [ndodhi] kur rebelët arritën në bazë”.

 

Një ushtar rus qëndron roje pranë një automjeti afër bazës ajrore Hmeimim.

Në një deklaratë me shkrim që përshkruan arratisjen e tij nga Siria, udhëheqësi i rrëzuar Bashar Al-Assad thotë se ai fillimisht u dërgua nga Damasku në bazën Hmeimim derisa rebelët po shënonin përparim masiv. Nga atje Assadi u transportua përfundimisht në Rusi më 8 dhjetor, pasi objekti rus "u vu nën sulmet e intensifikuara nga goditjet me dronë".

Një gjuajtës rus në kupolën e një automjeti të blinduar ndërsa i afrohet bazës ajrore Hmeimim.

“Nuk është e mundur të komunikosh me ushtarët rusë”, thotë fotografi Bektas.

“Nuk u përgjigjen pyetjeve dhe nuk të lënë të afrohesh. Ata duken të tendosur, por jo të zemëruar, nuk kanë shfaqur asnjë lloj dhune apo diçka të tillë”, shton ai. Ata po ruajnë qetësinë e tyre”.

 

Një banor vendas kalon pranë një autokolone ruse pranë bazës ajrore Hmeimim.

"Vendasit vetëm po shikojnë", thotë Bektas për situatën rreth bazës, e cila tani është pa mbrojtje të jashtme ushtarake përgjatë perimetrit të saj.

"Ka shumë dyqane me alfabetin rus në to në fshatin afër bazës ajrore", tregon Bektas, por të gjitha tani janë mbyllur. "Nuk ka asnjë ushtar rus që del vetëm ose me makinë jo të blinduar apo diçka të tillë".

Ushtarët rusë duke instaluar atë që duket të jetë një sistem kamerash mbi një kullë brenda bazës Hmeimim.

Përveç këtij sistemi të dukshëm CCTV, të cilin Bektas e kapi duke u ndërtuar, ai thotë se ka gjithashtu "një sistem mbikëqyrjeje me sy kah qielli, si një zepelin në majë të bazës ajrore për të vëzhguar përreth".

Një avion luftarak rus duke fluturuar mbi bazën ajrore Hmeimim.

"Kur një aeroplan i madh mallrash është duke u ulur ose duke u ngritur, fillimisht ngrihet një avion luftarak dhe ruan aeroportin duke u rrotulluar rreth fushës ajrore", thotë Bektas.

Një ushtar rus duke ruajtur një kolonë që ka ngecur në një rrugë pranë bazës ajrore Hmeimim. “Ka shumë autokolona që vijnë”, thotë Bektas. "Disa janë në pritje të transportit ose diçka të tillë sepse mund të shihni tenda të reja [brenda bazës]".

Një helikopter sulmues rus duke patrulluar mbi bazën ajrore Hmeimim.

Bektas thotë se është e paqartë nëse fluksi i trupave ruse në bazën Hmeimim nga pozicionet e tjera nëpër Siri do të mbetet atje, apo nëse ata janë në pritje të një transporti ajror jashtë Sirisë.

Një avion transportues rus i afrohet objektit në Hmeimim.

Për fotografin Umi Bektas, realiteti i ri më befasues rreth bazës ruse është fakti se ai mund të punojë [fotografojë] atje si kurrë më parë. “Në të kaluarën, ishte e pamundur të shkoje në Latakia dhe të shkrepje foto të tilla, do të ishe ndaluar në minutën e parë”, thotë ai.

 

Një automjet rus i blinduar afër bazës Hmeimim.

“Është interesant të jesh atje pa pasur asnjë kontroll, asnjë presion”, thotë Bektas. Fotografi punoi duke folur fillimisht me luftëtarët rebelë përreth bazës për t'i paralajmëruar për praninë e tij, më pas ai thotë: "Ju gjeni një ndërtesë relativisht të lartë, qëndroni atje për katër orë dhe bëni fotografi. Diçka që ishte e pamundur tani po ndodh".

Një helikopter sulmues rus duke fluturuar mbi bazën ajrore Hmeimim.

Më 16 dhjetor, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, la të kuptohet se liderët e rinj të Sirisë në Damask mund të jenë nën presion për t'i mbyllur bazat ruse në Siri, si një kërkesë për njohjen nga Bashkimi Evropian të qeverisë së re të vendit të Lindjes së Mesme. "Shumë ministra e thanë këtë - duhet të jetë kusht për udhëheqjen e re, në mënyrë që ajo ta heqë qafe ndikimin rus atje", u tha ajo gazetarëve.

Një automjet i blinduar rus pranë bazës Hmeimim.

Ben Dubow, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 dhjetor se anëtarët e qeverisë de facto të Sirisë kanë "shprehur gatishmëri për t'u angazhuar me Rusinë dhe kanë folur në favor të Rusisë në krahasim me Iranin", por ai shton se "ky është një zhvillim më i ri në përputhje me përpjekjet e tyre për të projektuar moderimin dhe legjitimitetin ndërkombëtar".

Fotografi Umit Bektas e përshkroi për Radion Evropa e Lirë si të tendosur atmosferën rreth një baze ajrore ruse pranë Latakisë, ndërsa konvojet mbërrijnë dhe avionët transportues mbeten nën vëzhgimin e helikopterëve dhe avionëve ushtarakë. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)