Foshnjat ukrainase ushqehen me qumësht gjiri të dhuruar në Poloni

Nëna refugjate ukrainase, Yevhenia Loshkarova, 37 vjeçe, duke mbajtur djalin e saj, Denis, në Konstancin Jeziorna, Poloni. Fëmija peshonte 1.5 kilogram kur lindi.
 E traumatizuar nga lufta, Loshkarova lindi para kohe me prerje cezariane dhe nuk mundi ta ushqente me gji.
 

Një bankë qumështi e financuar nga UNICEF-i në Poloni e krijuar për nënat në krizë ishte shpëtim për Loshkarovën shtatorin e kaluar. Ajo e furnizoi djalin e saj me qumësht dhe i ofroi asaj mbështetje psikologjike dhe këshilla për të ushqyerit me qumësht gjiri.
 

Karolina Dabiak, 37-vjeçare, ish-punonjëse polake e shëndetit dhe sigurisë, është një nga nënat që dhuruan qumështin e tyre në bankën e qumështit ku ushqehej foshnja e Loshkarovas. Dabiak e kuptoi se po prodhonte më shumë qumësht sesa i duhej djalit të saj të mitur.

"Ajo që është më e rëndësishme për mua është t'i ndihmoj njerëzit e vegjël që vijnë në këtë botë në rrethana kaq të vështira -- foshnjat e lindura para kohe", tha Dabiak.

Loshkarova, e cila u gjet pa ndjenja nga policia në banesën e saj në Varshavë gjatë muajit të shtatë të shtatzënisë, pasi një shoqe e kishte njoftuar policinë, tha se ajo është thellësisht mirënjohëse për bankën e qumështit të mbështetur nga OKB-ja.
 
“Është një ndihmë e madhe si për shëndetin e foshnjës, ashtu edhe për komoditetin psikologjik të nënës. Kur një fëmijë lind para kohe, është gjithmonë shumë stresuese, sepse diçka ka shkuar keq”, tha ajo.
 

Aleksandra Molas, 29 vjeçe, një mami dhe biologe, duke ekzaminuar shishet e qumështit të gjirit të dhuruara nga nënat në laboratorin Human Milk Bank në Spitalin Specialistik të Familjes së Shenjtë në Varshavë.
 

Me ndihmën e programit të UNICEF-it, më shumë se 300 nëna -- rreth 20 për qind e të cilave janë nga Ukraina -- përfitojnë çdo muaj nga shërbime të ndryshme në 10 spitale që janë nikoqire të bankave të qumështit në Poloni.

Një tjetër grua ukrainase e ndihmuar nga ky program është Olena Liubimova, 36 vjeç, dhe djali i saj i lindur para kohe, Oleg, në njësinë e kujdesit intensiv të Spitalit Universitar në Zielona Gora, Poloni.

Mjekët në Ukrainë e këshilluan Liubimovën të ndërpresë shtatzëninë për shkak të fibroideve të mitrës që ajo kishte zhvilluar për shkak të stresit. Ajo u paralajmërua se fëmija mund të mos mbijetonte dhe jeta e saj gjithashtu mund të ishte në rrezik.

Banka e qumështit e ushqeu Olegun me qumësht nëpërmjet tubit derisa Liubimova ishte në gjendje ta ushqente me gji. Që atëherë ajo ka përfituar nga kujdesi i avancuar perinatal i programit të UNICEF-it.

Një bankë qumështi e financuar nga UNICEF-i në Poloni po ofron kujdes të rëndësishëm ushqyes për foshnjat e lindura para kohe nga nëna ukrainase që kanë gjetur strehim në vend. Disa nga gratë kanë pësuar trauma nga konflikti. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)