Osmani në Forumin e Prespës: BE-ja të lejojë liberalizimin e vizave

Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër - Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i Kroacisë Zoran Milanoviq, ai maqedonas, Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ai slloven Borut Pahor, 16 qershor 2022.

Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër kanë bërë thirrje për integrimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse në rajon.

Në debatin e organizuar me temë “Çka pas luftës në Ukrainë?”, liderët e vendeve pjesëmarrëse u shprehën në favor të dhënies së statusit të shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe Bosnjës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në fjalimin e saj, Osmani bëri thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimeve ruse dhe kineze në rajon.

“Kosova tash e pesë vjet po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit të BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj, u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, deklaroi Osmani në tribunën me temë: “Çka pas konfliktit në Ukrainë?”.

SHIKONI EDHE: Rriten gjasat për liberalizimin e vizave, por s’ka garanci

Osmani mbështeti dhënien e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, porse një status të tillë, tha Osmani, duhet t’i jepet edhe Bosnjës si dhe Kosovës, e cila planifikon të aplikojë.

“Sa më shumë vakum të lërë BE-ja në Ballkanin Perëndimor, aq më të këqija do të jenë ndikimet ruse dhe kineze në rajon. Çështja është shumë e thjeshtë, nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështeteni statusin e shtetit kandidat për Kosovën dhe Bosnjën. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështeteni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Osmani.

Duke përsëritur deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentja Osmani, tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Njohja e ndërsjellë, siç e dimë të gjithë, është zgjidhja e vetme, e cila do të sjellë stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, tha Osmani.

Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në fjalimin e tij ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-ja të vazhdojë me procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: BE paralajmëron zhvillime pozitive për Maqedoninë e V. dhe Shqipërinë

“Shtetet e krahut lindor janë të ekspozuara ndaj ndikimit qëllimkeq të propagandës ruse, si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja. Këtu do të përmend edhe dy shtete të tjera, Kosovën dhe Serbinë, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën, por janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të njihen reciprokisht, përndryshe nuk do të ketë lëvizje përpara... Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitoi Serbinë dhe duke përmendur kushtet tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën që të lehtësojë jetën në Ballkanin Perëndimor".

"Presidenti Vuçiq reagoi duke thënë se ky nuk ishte deri tani kusht. Ju them se kjo nuk do të kalojë lehtë, nuk është inkurajuese, por siguria nënkupton njohje të ndërsjellë andaj edhe këtu duhet të përqendrohemi dhe të përçojmë mesazhin deri te Serbia se duhet të bëjë zgjedhjen, se ky problem duhet të zgjidhet”, deklaroi presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha se vendi i tij nuk është kundër që t’i jepet statusi i shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por një status të tillë, sipas tij, duhet t'i jepet edhe Bosnjës, ndërsa procesi të vazhdojë edhe me vendet tjera, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë, të cilat nuk e njohin njëra- tjetrën.

“Kur do të vendoset për Ukrainën dhe ndoshta edhe për Moldavinë, do të doja që liderët evropianë të flasin edhe për Bosnjën. Ndoshta ky vend nuk i ka përmbushur 14 kriteret, por duhet t'i përçoni mesazhin, se ju jeni të ngadalshëm në këtë proces por nuk do ta shtyjmë dhënien e statusit të shtetit kandidat. Është çështje gjeostrategjike dhe ne duam të jemi me ju, duam të bëjmë diçka me ju, por edhe ju të qëndroni me ne. Ky do të ishte një sinjal i fuqishëm, jo vetëm për Bosnjën, por edhe për vendet tjera se Brukseli po bën diçka për rajonin”, tha Pahor.

Pjesëmarrësve të forumit përmes një video-incizimi iu drejtua edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Anëtarësimi i plotë i Ukrainës, si dhe integrimi i plotë evropian i vendeve tuaja, është një fuqizim historik i Evropës dhe një çmontim i plotë i aftësisë së Rusisë për të na mundur neve individualisht. Ne kemi nevojë për një përgjigje pozitive për perspektivën tonë dhe tuajën evropiane dhe jam mirënjohës që po punojmë së bashku për këtë qëllim”, tha presidenti ukrainas Zelensky.

SHIKONI EDHE: Liderët evropianë mbështesin kërkesën e Ukrainës mbi statusin e kandidatit në BE

“Tani është një moment historik për Evropën dhe sigurinë evropiane, kur të gjithë duhet të vendosin – çfarë është Evropa dhe si do të jetë Evropa në të ardhmen. A do të jetë ajo e lirë siç është tani? A do të jetë aq e sigurt sa shumica e evropianëve janë mësuar?”, u shpreh Zelensky.