Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar të premten që për të është “një ditë e rëndë”, por që Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes. Deklaratën e tillë Bërnabiq e ka bërë duke komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës.
“Për mua kjo është ditë e rëndë. Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Bërnabiq për mediat serbe.
Ajo ka theksuar që Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes dhe prosperitetit, sepse, sipas saj, pa një rajon stabil nuk mund të ketë as Serbi stabile.
Nga veriu i Kosovës, ku jetojnë popullata shumicë serbe, janë dërguar porosi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojnë në veri.
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një konferencë për media ka thënë që vendimi i autoritete të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve, por edhe të jenë syçelur.
“Ne jemi këtu në vendin tonë, me popullin tonë, ndërkaq që vendimi i sotëm ka treguar qartë që Prishtina nuk dëshiron paqe në këto hapësira. Kjo që kanë bërë sot, mund të them lirisht që është e shtënë mbi paqen. U bëj thirrje qytetarëve që të përmbahen, të mos bien pre e provokimeve dhe i ftoj që të jenë syçelur. Në qoftë se ndodhin çfarëdo kërcënimesh, dua ta porosis popullin serb që ne, përfaqësuesit politik, do të jemi para popullit duarthatë dhe do të mbrojmë të drejtën tonë për jetë”, tha Rakiq.
Ndryshe, nga qytetarët shqiptarë, pjesëtarët e komunitetit serb, formimi i Ushtrisë nuk shihet si diçka pozitive e aq më pak si motiv për të festuar.
“Mendoj se nuk do të ndryshojë diçka, por thjeshtë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të ndryshojë ëmblemën në uniformën e tyre. Nuk do të ketë FSK në veri të Kosovës ku jetojnë serbët. Kjo Forcë është e stacionuar në Jug të Mitrovicës”, thotë një qytetare serbë nga veriu.
Sipas saj, vendimi nuk ishte pozitiv për serbët, por nuk duhet parë si kërcënim.
Ndërkaq, një banor tjetër serb nga Mitrovica Veriore thotë se transformimi i FSK-së paraqet frikë për serbët.
"Po është frikë për serbët. Është mundur që edhe t’i shpërngulin dhe përndjekin nga këtu. Për fëmijët është shumë problem, ekziston frika”, thekson ky qytetar serb.
Forca e Sigurisë së Kosovës, në bazë të ligjeve të miratuara, është shumetnike. Por, aktualisht pjesëtarët e komunitetit serb, sidomos pas fillimit të transformimit, kryesisht i kanë bojkotuar radhët e saj.
Ndërkaq, shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrici, më herët ka deklaruar në Beograd se krijimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të jetë një proces afatgjatë dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por kjo nuk nënkupton që votimi në Kuvendin e Kosovës është kundërkushtetues.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Bashkimi Evropian dhe NATO ndajnë mendimin që transformimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, afatgjatë dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Fabrici dhe ka shtuar që Brukseli i bën thirrje Prishtinës që të respektojë marrëveshjet që i ka arritur me BE-në, në vitin 2013.
Në pyetjet e gazetarëve se a nënkupton që votimi i Kuvendit të Kosovës është kundërkushtetues, Fabrici ka mohuar diçka të tillë.
“Nuk po them që është kundërkushtetues, por po them që do të ketë votim dhe do ta presim rezultatin. Qëndrimi jonë është i qartë, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, afatgjatë dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Fabrici.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë 72 orëve të ardhshme do të vizitojë disa njësi të ushtrisë serbe, të cilat janë të stacionuara në zonën tokësore të sigurisë në afërsi të vijave kufitare me Kosovën, si dhe në hapësirën e jugut të Serbisë. Këto vizita të Vuçiqit, ndërlidhen me rastin e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila tashmë mundësoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, të cilin transformim Serbia e kundërshton ashpër.
Siç ka komunikuar Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, Vuçiqi do të vizitojë njësitet ushtarake i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe shefin e shtatmadhorisë të Ushtrisë të Serbisë, gjeneral-koloneli Milan Mojsiloviq.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg rithekson kundërshtimin për transformimin e FSK-sëMinistri serb Vulin ka thënë që është shqyrtuar situata në hapësirën e Kosovës për shkak të paralajmërimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe se për secilin detaj është lajmëruar edhe presidenti serb Vuçiq.
“Mbrëmë, deri vonë, kemi pasur mbledhje me presidentin e Republikës dhe komandantin suprem Aleksandar Vuçiq. Ai është lajmëruar për secilin detaj dhe me të gjitha ato që po ndodhin në hapësirën e Kosovës, jo vetëm nga përfaqësuesit e Ushtrisë së Serbisë, por edhe nga BIA dhe ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme”, ka thënë Vulin të premten në televizionin serb TV Pink.