Komandanti i ri i forcave ruse në Ukrainë ka pranuar se forcat e tij po përballen me vështirësi në terren.
“Situata në zonën e ‘operacionit të posaçëm ushtarak’ mund të përshkruhet si e tensionuar”, tha gjenerali Sergei Surovikin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 24, gjatë një interviste më 18 tetor.
“Armiku vazhdimisht përpiqet të sulmojë pozicionet e forcave ruse”, tha ai. “Para së gjithash, bëhet fjalë për sektorët në Kupiansk, Liman dhe Mikolajiv-Krivij”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Kush është gjenerali rus i ngarkuar të fitojë luftën në Ukrainë?Surovikin po ashtu tha se ushtria ruse po përgatitet që të evakuojë civilët nga qyteti jugor ukrainas i Hersonit, që është pushtuar nga Moska dhe gjendet në një prej katër rajoneve që Rusia paligjshëm aneksoi tri javë më parë.
“Ushtria ruse do të ofrojë evakuim të sigurt të banorëve” të Hersonit, tha Surovikin gjatë intervistës, teksa e përshkroi situatën si “shumë të vështirë”.
Shefi i administratës së instaluar nga Rusia në Herson tha se do të ketë një “zhvendosje të organizuar” të civilëve nga pjesa e majtë e bregut të Lumit Dnipro.
SHIKONI EDHE: Telashe edhe në fushëbetejë, edhe në KremlinMë 8 tetor, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e emëroi Surovikinin si komandant të përgjithshëm të forcave të Kremlinit që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.
Kjo është hera e parë që Rusia emëron një komandant të vetëm për të gjitha forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.