Forcat ruse hyjnë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainë

Një tanke e shkatërruar shihet në rrugët e Harkivit.

Forcat ruse kanë hyrë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, kanë raportuar zyrtarët e qytetit, teksa Rusia vazhdon luftën në këtë shtet.

Kryetari i administratës rajonale të Harkivit, Oleg Sinegubov, ka thënë të dielën, 27 shkurt se pajisje ushtarake “kanë hyrë në qytet” në ditën e katërt të pushtimit.

Raportimet janë konfirmuar nga Anton Herashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, i cili ka publikuar në platformën Telegram disa pamje që tregojnë makinat ruse duke lëvizur.

Sinegubov u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda, duke thënë se trupat ruse duket se janë në qytet.

“Mos u largoni nga vendet ku jeni strehuar! Forcat e Armatosura të Ukrainës janë duke eliminuar armikun. Civilët nuk duhet të dalin nëpër rrugë”.

SHIKONI EDHE: Rusisë i vendosen sanksione të ashpra

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u njoftuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.