KFOR-i: Forcat e shtuara në urën e Ibrit, pjesë e një trajnimi

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje e forcave të shtuara të KFOR-it mbi urën e Ibrit, më 4 shtator 2024.

Forcat dhe mjetet e shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të cilat u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë, janë të përkohshme dhe pjesë e një trajnimi periodik, konfirmoi KFOR-i për Radion Evropa e Lirë.

Në deklaratën me shkrim, misioni tha se trajnimi po kryhet "për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale".

Pa dhënë më shumë detaje rreth tij, KFOR-i tha se "po e monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës" dhe se "mbetet vigjilent".

Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar po ashtu se ka kryer disa trajnime.

Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri.

SHIKONI EDHE: Policia merr në pyetje pesë të dyshuar lidhur me institucionet e mbyllura paralele

Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.

Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.

SHIKONI EDHE: Pse BE-ja po kërkon që për urën e Ibrit të diskutohet sërish në Bruksel?