Fondi në Serbi, pensionistët për 21 vjet pa pension

Edhe 21 vjet pas luftës, pensionistët e Kosovës të periudhës para vitit 1999, vazhdojnë të kërkojnë realizimin e së drejtës së tyre për pension.

Nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet e pensionistëve të Kosovës dhe që nga ajo kohë, pensionistët nuk kanë arritur t'i marrin paratë e tyre nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, vlerësohet se kanë qenë rreth 90 mijë pensionistë, prej tyre rreth 70 mijë kanë qenë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera.

Përfaqësues të Pensionistëve fajin për çështjeve e mosrealizimit të kësaj të drejte ua vënë edhe institucioneve të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Kompensimi i pensioneve, çështje e mundshme apo “hile” e Serbisë

Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është bërë asgjë nga autoritetet e vendit për kthimin e kontributeve të tyre, të cilat u takojnë me ligj.

“Pensionet është dashur që në ditën e parë kur janë ulur në bisedë me Serbinë të paguhen. Të fillohet dialogu, pa këtë çështje, mes Kosovës dhe Serbisë, këtu është faji edhe i institucioneve të Kosovës edhe i mekanizmave ndërkombëtare. Kjo çështje është lënë anash dhe kjo duhet të kthehet pasi që nuk mund të ketë pajtim me Serbinë pa u kthyer borxhet nga Serbia pasi që kjo është çështje pronësore që me ligjet ndërkombëtare i takon çdo pensionisti”, thotë ai.

Me rastin e pensionistëve të Kosovës të periudhës para vitit 1999, ishte marrë edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Kjo gjykatë, në vitin 2012, kishte marrë disa vendime ku kërkonte që Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë t’ua kompensojë pensionet disa individëve të cilët në atë kohë ishin ankuar në këtë gjykatë.

Lidhur me këto vendime që kishte nxjerrë kjo Gjykatë në atë kohë, Avokati i Popullit të Kosovës pati potencuar se me këtë vendim, u njihet e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Nën presionin e Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë në vitin 2013, kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”, por që deri më tani asgjë nuk është zgjidhur.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur disa iniciativa të disa individëve, të cilët iu bënin thirrje pensionistëve që të aplikonin për të realizuar të drejtën e pensionit në forma individuale, por që këto nisma ishin konsideruar joligjore dhe manipuluese nga autoritetet vendore.

SHIKONI EDHE: Serbia mban peng rreth 2 miliardë euro të pensionistëve nga Kosova

Sipas vlerësimeve të përafërta që prezantohen nga shoqatat e pensionistëve, thuhet se shuma e këtij Fondi Pensional, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën mbi dy miliardë euro.

Nga 70 mijë sa ka qenë numri i pensionistëve të Kosovës të cilët nuk e kanë realizuar të drejtën e tyre, tashmë një numër i konsiderueshëm i tyre kanë vdekur.

Autoritetet në Kosovë thonë se në momentin që do të trajtohej kjo çështje, ashtu si duhet në bazë të ligjeve, të drejtën e pensionit do të duhej ta trashëgonin anëtarët tjerë të familjes.

Çështja e Fondit Pensional, sipas zyrtarëve të institucioneve të Kosovës do të duhej të futet urgjentisht në agjendën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Bahri Xhaferi, drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se kthimi i kontributeve të pensionistëve kosovarë, të cilat gjenden në Serbi që nga viti 1999, duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.

“Sa i përket çështjes së problemit të Fondit Pensional, unë mendoj që ka karakterin politik ose ndërshtetëror sesa që mund të kryej një departament apo ministria jonë përkatëse. Kjo çështje është dashur të bisedohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: A do të diskutohet Fondi Pensional?

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.

Por, së fundi ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka shtyrë përpara disa çështje kontestuese mes palëve në dialog.

Ai ka ndërmjetësuar marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë – Beograd dhe ka nisur negociatat për rivendosjen e linjës hekurudhore midis dy vendeve.

Meqë Grenell ka paralajmëruar se dialogu do të duhej të niste me zgjidhjen e disa problemeve të hapur nga fusha ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, edhe përfaqësuesit e pensionistëve presin që Fondi Pensional do të mund të ishte një prej këtyre temave që mund të gjente zgjidhje.