Njohës të zhvillimeve ekonomike kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të krijojnë një legjislacion adekuat, i cili do të mundësonte që mjetet e Fondit të Privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të zhbllokohet nga kujdestaria ndërkombëtare dhe të vihen në funksion të zhvillimit të vendit.
Janë rreth 700 milionë euro të grumbulluara nga shitja e rreth 1,300 asteve të ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2002 e deri në fund të vitit të kaluar.
Nga rreth 700 milionë euro të grumbulluara në këtë Fond, më shumë se 110 milionë euro janë ndarë në emër 20 përqindëshit, që ndahen për punëtorët pas shitjes së ndërmarrjes, në të cilën kanë punuar, kurse për kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro.
Nga fondi tepricë në buxhetin e Kosovës, AKP-ja ka derdhur mbi 100 milionë euro.
Ndërkaq, në Fondin rezervë janë më shumë se 460 milionë euro, që sipas përfaqësuesve të AKP-së, mbahen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se këto mjete janë peng i një koncepti të administratës ndërkombëtare, por që si të tilla nuk duhet të mbesin të ngrira.
Asnjë Qeveri, shton Sadiku, nuk ka bërë përpjekje që këto mjete të zhbllokohen dhe sipas tij, Kosova një pjesë të konsiderueshme të mjeteve të veta i ka mbajtur jashtë zhvillimit ekonomik.
“Sa herë që fillojnë zgjedhjet, jepen premtime për zhbllokim të këtij fondi nga partitë e ndryshme politike, por që edhe pas pavarësisë së Kosovës, statusi i këtyre mjeteve ka mbetur i njëjtë dhe ka ardhur momenti i fundit që Kosova të krijojë një legjislacion adekuat që do të mundësojë që këto mjete të zhbllokohen nga kujdestaria ndërkombëtare dhe t’i vihen Kosovës për zhvillim”.
“Unë kam parasysh konceptin e administratës ndërkombëtare kinse ruajtja e këtyre mjeteve për kërkuesit eventual të mjeteve nga ndërmarrjet e privatizuara, porse Kosova nuk është dashur të jetë peng e një definicioni të tillë të administratës ndërkombëtare”, vlerëson Sadiku.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se pa ndryshimin e Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, këto mjete të Fondit nuk mund të shfrytëzohen.
“Mjetet e Fondit të Privatizimit që janë depozita në mirëbesim dhe janë të depozituar në BQK që momentalisht tejkalojnë shifrën e 700 milionë eurove, është një aset me vlerë të madhe për Kosovën, por problemi qëndron me faktin se me Ligjin për AKP-në nuk mund të shpërndahen për qëllime të ndryshme, derisa nuk përfundojnë proceset e shumta gjyqësore që janë duke u zhvilluar për objektet e privatizuara. Por, unë besoj që këto mjete pa ndryshimin e Ligjit mbi AKP-në dhe derisa nuk përfundon suksesioni ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të shfrytëzohen”, shpjegon Bektashi.
Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së, bashkë me Qeverinë e Kosovës, tanimë kanë shqyrtuar mundësitë ligjore të përdorimit të këtyre mjeteve të deponuara nga procesi i privatizimit në BQK për qëllime të projekteve zhvillimore në të mirën e vendit, por, siç thuhet, “të kujdesshëm në të njëjtën kohë për obligimet që AKP-ja ka karshi ish-punëtorëve dhe kreditorëve të njohur”.
Profesori i ekonomisë, Sadiku, thotë se në rast të zhbllokimit të këtyre mjeteve ato do të duhej të orientohen në zhvillimin e arsimit, shëndetësisë, shkencës dhe aktiviteteve tjera që dërgojnë drejt uljes së papunësisë e varfërisë.
“Kosova duhet të kishte mjaft projekte të zhvillimit human që të përmirësojë pozitën e zhvillimit human në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik”, thotë Sadiku.
Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore, sa figurojnë të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre, duke krijuar nga një apo dy ndërmarrje të reja private. Kurse, të pashitura kanë mbetur rreth 2000 asete të ndërmarrjeve shoqërore.