FMN: Rritja e pagave mund të rrezikojë hapjen e vendeve të reja të punës

Foto nga arkivi

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave.

Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, Ruud Vermeulen, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, tha se “punësimet e reja, duke përfshirë ato në sektorin e drejtësisë dhe shëndetësisë si dhe një rritje modeste e rrogave e paraparë për vitin 2018, mund të bëhet në pajtim me rregulloren për fondin e pagave”.

Më tutje, ai tha se rritja e madhe e rrogave në disa sektorë publikë do të krijojë pakënaqësi dhe presion për rritje të rrogave në sektorët e tjerë, që mund të rrezikojnë rregulloren e pagave.

“Po ashtu, do të rrezikojë mundësinë e punësimeve të reja që janë me prioritet”, ka thënë Vermeulen.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.

Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Vendimi i Qeverisë kishte ndikuar që edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të arsimit të kërkojnë rritjen e pagave. Edhe pse që nga fillimi i këtij viti, punonjësit e sektorit publik kanë marrë pagat me rritje prej 4 për qind, Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë është shprehur e pakënaqur me rritjen aktuale, duke kërkuar që rritja të realizohet nga 15 deri në 25 për qind.

Edhe mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, kanë kërkuar kategorizim, që do t’u mundësonte atyre rritjen e pagave.

Në Kosovë ende nuk është miratuar Ligji për pagat, i cili rregullon nivelizimin e pagave për të gjithë punonjësit në sektorin publik.

Në vitin 2010 është miratuar Ligji për pagat e nëpunësve civilë, ligj ky që nuk është zbatuar për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Kurse, mënyra e sistemit të pagave për sektorë të tjerë është realizuar me ligje dhe rregullore të tjera.

Zeqir Bekolli, zëdhënës në Ministrinë e Administratës Publike thotë se për të rregulluar këtë çështje, kjo ministri tashmë ka përgatitur koncept-dokumentin e ligjit për pagat që tashmë gjendet në Ministrinë e Financave.

“Ky dokument i paraprin hartimit të ligjit të ri për pagat, në të cilin do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe institucionet që marrin paga nga buxheti i Kosovës. Ky do të jetë ligj unik në të cilin do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe institucionet që marrin paga nga buxheti i Kosovës”, thotë Bekolli për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, me një zë më kritik ndaj vendimit të kryeministrit për rritjen të pagave është paraqitur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Ata janë kërcënuar se nëse Qeveria vendos për rritjen e pagave për zyrtarë të saj, nuk do të mungojnë protestat apo grevat. Kurse rritja e pagave për 4 për qind, sipas BSPK-së, është e pamjaftueshme.

Avni Ajdini kryetar në BSPK-së tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mjete që pagat të rriten në sektorin publik dhe atë privat.

“Nuk është rritje është abuzim, nënçmim është degradim i virtytit njerëzor. Ne kemi kërkuar rritjen e pagave për punonjësit e të dy sektorëve, duke marrë koeficientin e pagës se kryeministrit për 4 për qind”, tha Ajdini.

Por, udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë thonë se është e rëndësishme që rritja e pagave në sektorin publik të mbahet e kontrolluar, në mënyrë që të evitohen efektet edhe në sektorin privat. Ruajtja e këtij balanci, sipas FMN-së është e rëndësishme për konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.