FMN: Perspektiva ekonomike po bëhet më e zymtë

Logoja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në selinë e tij në Uashington.

Perspektiva globale ekomomike është më e zymtë se parashikimet e muajit të kaluar, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shkaqet kryesore për këtë, sipas FMN-së, janë inflacioni në rritje dhe pasiguria ushqimore, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Muajin e kaluar, FMN-ja uli parashikimin e saj për rritjen ekomomike në vitin 2023 në 2.7%, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.9%.

Në një raport të përgatitur për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, që do të mbahet në Indonezi të martën, FMN-ja tha se treguesit e fundit “konfirmojnë se perspektiva është edhe më e zymtë”, sidoms në Evropë.

“Sfidat, me të cilat po përballet ekonomia globale, janë të mëdha, dhe indikacionet ekonomike tregojnë sfida të tjera përpara”, tha FMN-ja, duke shtuar se mjedisi aktual i politikës është “jashtëzakonisht i pasigurt”.

Përkeqësimi i krizës energjetike në Evropë do ta dëmtonte rëndë rritjen ekonomike dhe do të rriste inflacionin, paralajmëroi huadhënësi global.

SHIKONI EDHE: Rekord i ri i inflacionit në Eurozonë

Inflacioni në gjithë botën ka nisur të rritet fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rritja ka vazhduar edhe pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Këto dy vende janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.

FMN-ja paralajmëroi se edhe moti gjithnjë e më ekstrem mund ta dëmtojë rritjen ekonomike.