Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Bankës Qendrore Evropiane që të vazhdojë të rrisë normat e interesit deri në mesin e vitit 2024, dhe kërkoi nga ministrat e Financave të Bashkimit Evropian të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara për të ulur nivelin e inflacionit.
Kreu i FMN-së për Evropën, Alfred Kammer, tha se niveli i lartë i inflacionit është shqetësimi më i madh.
Ai këto komente i bëri më 28 prill para një takimi me ministrat e Financave të BE-së dhe guvernatorët e Bankës Qendrore Evropiane.
“Rekomandimi ynë kryesor, sa i përket politikave, është ta mposhtim inflacionin dhe kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentin e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Evropiane kjo nënkupton shtrëngim të mëtejmë, për një periudhë më të gjatë, ne vlerësojmë deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që të ulet inflacioni deri në synimin e caktuar diku në vitin 2025”, tha Kammer.
“Inflacioni është taksë, veçmas për të varfëritë, dhe ne duhet ta luftojmë”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Shefi i Bankës Qendrore Evropiane pret “rënie të shpejtë” të inflacionitInflacioni në 20 shtetet që përdorin euron ishte 6.9 për qind në mars – krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak – por, inflacioni bazë, që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit, ishte 7.5 për qind.
Për të ulur inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023.
Kammer tha se ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Evropiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që ata përdorën gjatë pandemisë COVID-19 dhe vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Inflacioni nuk mund të luftohet vetëm nga Banka Qendrore, na duhen politika fiskale që e mbështesin atë”, tha Kammer dhe shtoi se një ulje e deficitit buxhetor në shtetet e BE-së nuk u jetësua për shkak se pakot e ndihmës, që qeveritë dhanë për qytetarët për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë, ishin në fuqi për një periudhë më të gjatë.
SHIKONI EDHE: FMN: Normat e interesit do të mund të bien në nivelet para COVID-it“Prandaj, ne tani rekomandojmë, pasi çmimet e energjisë po bien ... që pakot e kostos së jetesës të mos aplikohen apo që ato të jenë më të shënjestruara”, tha ai.
Çështja e balancës midis politikave monetare dhe fiskale, si dhe inflacioni janë në agjendën e bisedimeve të ministrave të Financave të BE-së dhe guvernatorëve të Bankës Qendrore, të cilët do të takohen në Stokholm të premten dhe të shtunën.