Rikthehen fluturimet e brendshme në SHBA

Avionët e Delta Air Lines shihen të parkuar për shkak të reduktimit të fluturimeve në periudhën e koronavirusit, në Aeroportin Ndërkombëtar Birmingham-Shuttlesworth, Alabama. SHBA. 25 mars 2020.

Trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kthehet normalitetit, pasi të gjitha fluturimet e brendshme u ndaluan për disa orë për shkak të një defekti me sistemin e kontrollit të fluturimit.

Autoritetet e aviacionit amerikan thanë se ky defekt është rregulluar.

Gjatë kësaj kohe, rreth 4.600 fluturime u shtynë, ndërsa rreth 800 të tjera u anuluan.

Më herët Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se ka një problem me sistemin që paralajmëron pilotët për rreziqet e mundshme në rrugët e fluturimit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është informuar për ndërprerjen e fluturimeve, dhe Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka prova të një sulmi kibernetik deri tani. Biden ka bërë thirrje për një "hetim të plotë mbi shkaqet" e kësaj ndërprerje.

American Airlines tha se ndërprerja ndikoi te "të gjitha fluturimet, përfshirë të gjithë transportuesit".

Pasagjerët kanë postuar në rrjetet sociale vonesat gjatë kohës së ndalimit të fluturimeve.