Rreth 80 mijë ishte numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, të mbajtura në vitin 2017. Numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme nga zgjedhjet e kaluara, vjen si pasojë e mosinformimit të saktë të qytetarëve se si duhet të votojnë, vlerësojnë anëtarë të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore në Kosovë. Por, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se ka shumë raste kur votuesit qëllimisht dëmtojnë fletëvotimin.
Ibrahim Sefedini nga Prishtina, në zgjedhjet e kaluara, ditën e votimeve kishte bërë një gabim dhe vota e tij kishte shkuar për partinë e gabuar.
Këto gabime sipas tij, po ndodhin edhe për shkak të mosinformimit të duhur nga institucionet.
“Edhe unë njëherë kam gabuar, ja dhash votën një tjetri të një partie tjetër, ajo e pavlefshme është. Nëse e voton një subjekt edhe pesë kandidatë të atij subjekti, mirë është. Nëse e ngatërron kandidatin, atëherë ajo është e pavlefshme”, ka treguar ai.
Si pasojë e mosinformimit të saktë për mënyrën e votimit, ka edhe një numër shumë të madh të fletëvotimeve të pavlefshme.
Rreth 80 mijë fletëvotime të pavlefshme janë shpallur në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Po atë vit u organizuan edhe zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje, më shumë se 42 mijë vota u shpallën të pavlefshme.
Komunat me numrin më të madh të fletëvotimeve të pavlefshme janë Gllogovci dhe Skenderaji, derisa me numrin më të vogël të fletëvotimeve të pavlefshme janë Prishtina dhe Mamusha.
SHIKONI EDHE: Prokuroria paralajmëron masa të ashpra për ruajtjen e votës nga “vjedhësit”Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, sipas Blerta Aliut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), është shënuar numri më i madh i fletëvotimeve të pavlefshme.
Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë edhe shkaktarët kryesorë, që sipas saj, sjellin për pasojë një numër kaq të madh të votave të pavlefshme në Kosovë, e që kryesisht ndërlidhen me informimin jo të plotë të qytetarëve.
“Trendet tregojnë se kur është fjala për zgjedhjet e përgjithshme, votuesit kanë afinitet të votojnë për kandidatët, duke mos shënjuar subjektin politik dhe në këtë formë, bëhet fletëvotimi i pavlefshëm. Nuk e shënjojnë subjektin, por fokusohen te kandidatët dhe kjo e bën atë fletëvotim të pavlefshëm. Në këtë rast mund të themi që gjysma e fletëvotimeve të pavlefshme për zgjedhjet e përgjithshme e kanë këtë problem”, tregon Aliu.
Ajo ka folur edhe për natyra tjera të pavlefshmërisë së fletëvotimeve. Në disa raste, thekson ajo, fletëvotimet kryesisht dëmtohen qëllimisht nga votuesit, por shumica e fletëvotimeve të pavlefshme kanë të bëjnë me plotësimin në formë të gabueshme.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumica e proceseve zgjedhore në Kosovë, kanë ndodhur para kohës së paraparë dhe kjo ka bërë që qytetarët të mos informohen në mënyrën më të mirë.
“Dy problemet kryesore janë: zgjedhja e numrave të kandidatëve në anën e djathtë, pa e zgjedhur subjektin politik (45.8%), dhe zgjedhja e më shumë se një subjekti politik (32.3%). Pakënaqësia e votuesve me ofertën politike është reflektuar në analizë përmes fletëvotimeve të bëra të pavlefshme me qëllim (12%) si dhe fletëvotimeve të zbraztë (9.2%)”, ka thënë Elezi.
*Video: Mashtrim apo shaka? Në internet dalin votat për shitje
Your browser doesn’t support HTML5
Marrë parasysh mangësitë e evidentuara, Elezi ka thënë se duhet të punohet edhe më shumë në informimin e saktë të qytetarëve për mënyrën e votimit.
Por, jo të gjithë mendojnë se fletëvotimi është i komplikuar për t’u kuptuar. Adem Rexhaj, një qytetar 84-vjeçar nga Prishtina, thotë se është informuar nga mediat për mënyrën si duhet votuar dhe për të nuk paraqet asnjë problem.
“Kush dëshiron të votojë, e kemi çdo natë në televizor si të votojmë, por kush nuk dëshiron, s’e dëgjon as atë e as nuk voton. Duhet të votojmë numrin e partisë edhe pesë deputetë, ata të cilët unë dua”, ka thënë ai.
Në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova mbesin shtetet me përqindjen më të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme.
Kurse pas tyre, renditen Maqedonia e Veriut me 3.2 për qind, Serbia me 2.9 për qind, Shqipëria me rreth 2 për qind, si dhe Mali i Zi me vetëm 1.4 për qind të fletëvotimeve të pavlefshme.