“E kam një ëndërr”: 60 vjet nga fjalimi i famshëm i Martin Luther Kingut

“Nuk e di çfarë do të ndodhë tani. Kemi ditë të vështira përpara nesh. Mirëpo nuk ka rëndësi, sepse e kam prekur majën e malit”.

Në foto: Martin Luther King Jr. në Tempullin Mason në Memfis, Tenesi të SHBA-së. Më 3 prill 1968.

Ky ka qenë predikimi i fundit i priftit baptist, deklaratat e të cilit e kanë ndryshuar historinë.

Një ditë më vonë, më 4 prill 1968, Martin Luther King Jr., është vrarë në ballkonin e një hoteli të Tenesi.

Në fotografi: King (djathtas) në ballkon në Motelit Lorraine në Memfis. 3 prill 1968.

Duke qenë vetëm 39 vjeç kur është vrarë, Martin Luther King ka qenë lideri më i njohur i lëvizjes për të drejta të njeriut në SHBA, që ka luftuar për barazi të të gjithë amerikanëve.

Në fotografi: Martin Luther King, Xhorxhia. 19 tetor 1960.

Djali i priftit Baptist, Martin Luther King është rritur në Atlanta, Xhorxhia. Ai e ka nisur kolegjin në moshën 15-vjeçare dhe ka doktoruar për teologji. Ai është martuar me Coretta Scott, këngëtare e talentuar, me të cilën i ka pasur katër fëmijë.

Në fotografi: King dhe Coretta Scott me tre prej katër fëmijëve të tyre në Atlanta. 17 mars 1963.

Ndasitë në baza racore kanë qenë shumë të shpeshta në jug, mirëpo edhe në pjesën tjetër të SHBA-së, ku shtetasit me ngjyrë janë përballur me diskriminim.

“I kemi disa miq të racës së bardhë këtu me ne dhe duam të hamë bashkë. Mirëpo, për shkak të këtij sistemi, ata do të hanë në fillim dhe ne do të hamë më pas ”, ka thënë King në një rast.

Në fotografi: King duke folur në Birmingem, Alabama. 21 maj 1963.

Aktivistët për të drejta të njeriut janë shpesh shënjestra të dhunës brutale. Policia i ka shtypur protestat me forcë. King është përballur me kërcënime për vdekje, dhe te shtëpia e tij janë gjuajtur disa herë bomba. Megjithatë, King e ka ndërtuar lëvizjen e tij me protesta paqësore.

Në fotografi: Zyrtarët duke e dërguar Kingun në një seancë gjyqësore në Atlanta. 25 tetor 1960.

Ai është inspiruar nga mësimet e liderit indian në luftën e tij për pavarësi Mahatma Gandhi. Më 1959, ai e ka vizituar varrin e Gandhit.

Në fotografi: King duke i hequr këpucët para se të afrohej te varri i Gandit në Nju Delhi të Indisë. 11 shkurt 1959.

Roli i Kingut në protesta jo të dhunshme e ka përballur me burgime disa herë, dhe ai është hetuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) si radikal potencialisht i rrezikshëm.

Në fotografi: Pritja e Kingut pas lirimit nga burgu në Atlanta, Xhorxhia. 27 tetor 1960.

Organizimi më i njohur i lëvizjes për liri civile është mbajtur më 1963. Rreth 250.000 protestues të të gjitha racave kanë marshuar në Uashington, duke bërë thirrje për të drejta të barabarta mes të gjithë banorëve, përfshirë të drejtën për votim dhe barazi në sektorin ekonomik.


Në fotografi: Një turmë me njerëz përpara Memorialit të Lincolnit në Uashington. 28 gusht 1963.

“E kam një ëndërr”, ka thënë King.

Ai e ka mbajtur fjalimin që do të mbahet mend ndër gjenerata.

“Të gjithë fëmijët e Zotit, njerëzit e bardhë dhe me ngjyrë, hebrenjtë dhe paganët, protestantët dhe katolikët, do të mund t’i bashkojnë duart dhe t’i këndojnë vargjet e një prifti të vjetër me ngjyrë: Më në fund të lirë! Më në fund të lirë! Zotit të plotfuqishëm – Faleminderit! Më në fund jemi të lirë!”

Në fotografi: King duke iu adresuar turmës përpara Memorialit të Lincolnit në Uashington. 28 gusht 1963.

Marshet dhe aktivitetet tjera kanë rezultuar me ndryshime të mëdha.

Në fotografi: King (i treti prej majtas) duke marrë pjesë në Marshin e Uashingtonit më 28 gusht 1963.

Ish-presidenti amerikan Lyndon B. Johnson e ka nënshkruar Aktin për Liritë Civile dhe Aktin e Votimit, të cilat i kanë shpallur si të jashtëligjshme diskriminimet në shkolla, në sektorin e punësimit dhe të drejtën për të votuar.

Në fotografi: King duke shtrënguar duart me Johnsonin, Uashington. 3 korrik 1964.

Më 10 dhjetor 1964, Kingut i është ndarë Çmimi Nobel për Paqe në Osllo të Norvegjisë.

Atëherë 35-vjeçar, Kingu ka qenë laureati më i ri që e ka fituar këtë çmim, amerikani i 12-të që e ka fituar atë dhe vetëm personi i tretë me ngjyrë që është nderuar në atë cilësi.

“E pranoj këtë çmim në emër të lëvizjes për liri civile që vepron me vendosmëri dhe rrezik të madh në rrugën për krijim të mbretërisë së lirisë dhe sundimit të ligjit’, ka thënë ai në një ceremoni në Osllo.

Beteja e Martin Luther Kingut është ndërprerë 55 vjet më parë nga një plumb.

Në fotografi: Dritarja në Memfis prej së cilës policia ka thënë se është gjuajtur me armë zjarri duke e plagosur për vdekje Martin Luther Kingun më 5 prill 1968.

Një gazetar shihet në dhomën e personit që e ka qëlluar për vdekje Kingun. Memfis, 5 prill 1968.

Shumë persona duke e nderuar Kingun e vrarë në Atlanta. 5 prill 1968.

Vdekja e tij është përcjellë me dhimbje kombëtare dhe në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra persona, më 9 prill 1968.

Vrasja e tij ka nxitur protesta në shumë qytete amerikane.

Në fotografi: Policia duke kryer arrestime pas trazirave që në Nju Jork për vrasjen e Martin Luther Kingut. 5 prill 1968.

Protestat në Boston pas vrasjes së tij.

Mesazhi i Martin Luther Kingut për barazi dhe paqe do të vazhdojë të jetë trashëgimia e tij për kohë të gjatë.

Në fotografi: King duke iu adresuar turmës përpara Memorialit Lincoln në Uashington më 28 gusht 1963.
 

Këtë vit shënohet 60-vjetori i marshit të mbajtur në Uashington, organizimit kyç për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara. Në të, Martin Luther King e ka mbajtur fjalimin e famshëm “E kam një ëndërr”. I organizuar më 1963, marshi kishte mbledhur më shumë se 250.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara, në luftën për zhdukje të diskriminimit në baza racore, fetare, gjinore dhe kombëtare. (Përgatiti: Krenare Cubolli)