Një gazsjellës nënujor dhe linjat e telekomunikacionit që lidhin Finlandën me Estoninë nën Detin Baltik, është dëmtuar me gjasë nga një akt i qëllimshëm, tha Qeveria finlandeze të martën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolntenberg, tha se aleanca po ndan informacione lidhur me dëmtimin në gazsjellës dhe tha se aleatët janë të gatshëm të mbështesin Finlandën.
Gazsjellësi Balticconnector u mbyll të dielën pas shqetësimeve se kishte rrjedhje të gazit nga një vrimë në tubacionin e gjatë prej 77 kilometrash. Operatori finlandez, Gasgrid, tha se dëmi do të marrë muaj kohë që të riparohet.
“Ka të ngjarë që dëmi në gazsjellës dhe në linjat e komunikimit të jetë rezultat i një aktiviteti të jashtëm. Ende nuk është i qartë shkaku i dëmtimit, hetimi po vazhdon në bashkëpunim midis Finlandës dhe Estonisë”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, përmes një deklarate.
“Rënia e presionit në gazsjellës ishte e shpejt, që është tregues se nuk ka qenë një dëm i vogël. Por, shkaku ende nuk dihet”, tha një zyrtar për energji në Baltik që ka lidhje me situatën. Megjithatë, ai foli për Reuters në kushte anonimiteti.
SHIKONI EDHE: Mbyllet tubacioni i gazit mes Finlandës dhe EstonisëGazsjellësi midis Inkos në Finlandë dhe Paldiski në Estoni kalon përmes Gjirit të Finlandës, që shtrihet drejt ujërave ruse dhe përfundon në portin e Shën Petersburgut.
Autoritetet kanë thënë se të gjitha shkaqet e mundshme po hetohen, përfshirë sabotimin.
Më 2022, gazsjellësi Rrjedha Veriore, që kalon nën Baltik dhe lidh Rusinë me Gjermaninë, u dëmtua nga shpërthimet. Autoritetet thanë se shpërthimet janë shkaktuar nga akte të qëllimshme të sabotimit.
Në kohën kur u vërejt rënia e presionit, gazsjellësi – që transporton gaz në të dyja anët varësisht nga kërkesa – ishte duke transportuar rreth 30 gigavat orë gaz në ditë nga Finlanda në Estoni.