Finlanda bëri të ditur se do të reduktojë numrin e vizave turistike që lëshon për shtetasit rusë me 90 për qind për shkak të rritjes së pakënaqësisë mbi luftën në Ukrainë.
Vendimi, i shpallur më 16 gusht nga ministri i jashtëm Pekka Haavisto, është i fundit në një seri veprimesh nga Finlanda në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Duke folur për mediat në Helsinki, Haavisto tha se që nga data 1 shtator vizat turistike për shtetasit rusë do të jepen në masën e 10 për qind të masës aktuale.
“Vizat turistike nuk do të ndalen plotësisht, por numri i tyre do të reduktohet ndjeshëm”, citohet të ketë thënë ministri i jashtëm finlandez.
"Kjo do të thotë se llojet e tjera të vizave -- vizitat te të afërmit, kontaktet familjare, puna, studimi -- do të kenë përparësi dhe do t’i jepet më shumë kohë," tha ai.
Finlanda aktualisht shqyrton rreth 1000 aplikime për viza në ditë, nga shtetas rusë sipas televizionit publik Yle.
Haavisto tha se Finlanda do të konsiderojë gjithashtu krijimin e një kategorie specifike të vizave humanitare, e cila mund të ndihmojë gazetarët ose punonjësit e OJQ-ve.
Një numër i vogël, por në rritje i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë publikisht thirrje për kufizimin ose ndalimin e plotë të turistëve rusë në Evropë në përgjigje të luftës.
SHIKONI EDHE: Lufta e Ukrainës dhe efektet e sajAnëtarët më të gjerë të BE-së, përfshirë Gjermaninë, e kanë kundërshtuar deri më tani idenë, megjithëse Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, është zotuar të diskutojë më tej këtë çështje.
Pas dekadash qëndrimi dhe mbajtjeje të një statusi neutral, Finlanda ka nisur shpejt procedurën për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Edhe Suedia ka vendosur për t'u anëtarësuar dhe aktualisht, 20 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë miratuar anëtarësimin e dy vendeve.
"Nuk është e drejtë që qytetarët rusë mund të hyjnë në Evropë, në zonën Shengen, të jenë turistë...ndërsa Rusia po vret njerëz në Ukrainë. Është e gabuar," tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin më 15 gusht.