Finlanda më 28 shkurt nis debatin parlamentar që synon të përshpejtojë rrugën e shtetit drejt pranimit në NATO dhe duke rritur gjasat që ta vazhdojë këtë rrugë vetëm pa shtetin fqinj, Suedinë.
Finlanda – që ka një prej kufijve më të gjatë me Rusinë në Evropë – dhe Suedia hoqën dorë nga politika dekadëshe e mosangazhimit ushtarak dhe aplikuan për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore majin e kaluar, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Por, për shkak se u përball me më pak pengesa diplomatike sesa Stokholmi, Helsiniki duket se po lëvizë drejt NATO-s edhe para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në prill në Finlandë, teksa opinioni publik po ashtu mbështet anëtarësimin në aleancë.
Të dy shtetet kanë marrë mbështetjen e 28 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s. Vetëm Hungaria dhe Turqia ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy vendeve nordike në aleancën ushtarake.
SHIKONI EDHE: Finlanda do t'i dërgojë në Ukrainë tri tanke Leopard 2Shumë deputetë finlandezë po kërkojnë që të miratohet legjislacioni që Finlanda të pranojë kushtet e traktatit të NATO-s para zgjedhjeve të 2 prillit.
Debati parlamentar mbahet të martën, ndërkaq votimi pritet të ndodhë të mërkurën.
Kur të miratohen i gjithë legjislacioni i duhur, Finlanda mund të lëvizë më shpejt edhe nëse ratifikimet ndodhin para se Qeveria e re të formohet.
“Koha është tani për të ratifikuar dhe për të mirëpritur plotësisht si anëtare Finladën dhe Suedinë”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në këtë shtet të martën.
“Mesazhi im për Finlandën dhe Suedinë është që të përmbushin ato që kanë premtuar në marrëveshjen trepalëshe që arritën me Turqinë qershorin e kaluar”, shtoi ai.
Helsinki ka theksuar se preferon që t’i bashkohet aleancës së bashku me Suedinë, por miratimi i legjislacionit – që pritet të miratohet pa problem në Parlamentin finlandez – po shihet si sinjal se Finlanda është e gatshme të lëvizë drejt NATO-s e vetme.
Turqia ka bllokuar pranimin e anëtarëve të rinj, veçmas të Suedisë, të cilën e akuzon se po strehon ata që Ankaraja i konsideron “terroristë”, posaçërisht anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Megjithatë, më 27 shkurt kryediplomati i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia e sheh në mënyrë më favorizuese anëtarësimin e Finlandës në NATO.
“Ne ndoshta duhet të ndajmë procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Blinken kërkon në Turqi anëtarësimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në NATOPërderisa miratimi i legjislacionit nga autoritetet finlandeze nuk nënkupton se shteti automatikisht do të anëtarësohet në NATO pas ratifikimeve nga Turqi dhe Hungari, por vendos afate kohore sesa mund të presë për fqinjin e saj.