Finlanda anëtarësohet në NATO, dyfishohet kufiri i aleancës ushtarake me Rusinë

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, teksa ia dorëzon dokumentin e anëtarësimit Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Bruksel, Belgjikë, 4 prill 2023.

Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit në Bruksel të martën, 4 prill, në atë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti "ditë historike".

Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.

“Putini kishte deklaruar se qëllimi i pushtimit të Ukrainës [ishte] të kishte më pak NATO, ai donte më pak NATO përgjatë kufijve të tij, donte ta mbyllte derën e NATO-s. Ai po merr pikërisht të kundërtën”, tha Stoltenberg pas anëtarësimit të Finlandës.

Kremlini tha se Rusia do të detyrohet të ndërmarrë “kundërmasa” për pranimin e Finlandës. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha kjo ngjarje ka rritur mundësinë që konflikti në Ukrainë të përshkallëzohej më tej.

Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.

Përmes një deklarate, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se “sot jemi më të bashkuar se kurrë më parë. Dhe së bashku - të forcuar nga aleati ynë më i ri, Finlanda - ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë transatlantike, ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s dhe t'i kalojmë të gjitha sfidat me të cilat përballemi”.

Si akt të parë pas anëtarësimit, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ratifikimin e kërkesës së Suedisës për anëtarësim në NATO.

Pas anëtarësimit, edhe presidenti finlandez, Sauli Niinsto, dha mbështetje për kërkesën e Suedisë për anëtarëim në aleancën ushtarake.

“Anëtarësimi i Finlandës nuk është i plotë pa anëtarësimin suedez. Puna për anëtarësimin e hershëm të Suedisë vazhdon pa pushim”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, në një konferencë për media pas ceremonisë së pranimit.

Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare - pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.

SHIKONI EDHE: Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO me ekstradimin e “terroristëve”