Mes kërcënimeve nga Rusia, Finlanda nis ndërtimin e gardhit kufitar

Kjo ishte pamja pranë pikës kufitare të Finlandës, Pelkola, me Rusinë më 14 prill, ndërsa ekskavatorët po punonin për përgatitjen e një brezi të kufirit për një gardh të ri kufitar. Shenjimi me të gjelbër dhe të kuqe që shënon territorin rus, mund të shihet në anën e majtë të kësaj fotoje.

Një imazh i krijuar në mënyrë kompjuterike tregon se si parashikohet të duket gardhi tri metra i lartë.

Përveç rrjetës dhe gardhit me tela gjemborë, barriera do të përfshijë "një rrugë ngjitur, një hapje të shpyllëzuar, si dhe një sistem mbikëqyrjeje teknike", sipas një njoftimi për shtyp nga Roja Kufitare Finlandeze.
 

Një pamje e kufirit rus e parë nga një vend i paspecifikuar në Finlandë.

Helsinki thotë se barriera e re do të projektohet kryesisht për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. Në verën e vitit 2021, fenomeni i "migrantëve të armatosur" doli në pah pasi udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, u zotua të vërshonte Evropën me "drogë dhe migrantë" në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura. Dhjetëra mijëra emigrantë kryesisht nga Lindja e Mesme u shfaqën më pas në kufirin perëndimor të Bjellorusisë duke u përpjekur të hynin në territorin e BE-së.

 

Roja kufitare finlandeze, kolonel Mika Rytkoenen pranë kufirit rus më 14 prill.

Roja kufitare e Finlandës e përshkruan ndërtimin e gardhit, i parashikuar të kushtojë rreth 417 milionë dollarë, si "të nevojshëm në situatat kur hyrja e paligjshme është e instrumentalizuar ose e gjerë", duke shtuar se "gardhi pengues do të zvogëlojë gjithashtu varësinë e Finlandës nga efikasiteti i kontrollit kufitar rus".
 

Tabelat sinjalizuese në vendkalimin kufitar Pelkola në Rusi.

Jari Tolppanen, gjeneral brigade i Gardës Kufitare, i tha Reutersit se në vitin 2022 vetëm 30 kalime të paligjshme u vunë re nga rojet kufitare finlandeze, ndërsa rreth 800 përpjekje ishin dështuar nga ana e palës ruse para se emigrantët të arrinin në territorin finlandez.
 

Shenjat kufitare finlandeze (majtas) dhe ruse të fotografuara pranë Imatrës në juglindje të Finlandës.

Pas pranimit të Finlandës më 4 prill në aleancën ushtarake të NATO-s dhe kërcënimeve të Kremlinit për hakmarrje të paspecifikuara, Tolppanen tha se "në këtë situatë krejtësisht të ndryshuar, Finlanda duhet të ketë kontroll kufitar më të besueshëm dhe më të pavarur".
 

Kufiri finlandez-rus afër Imatrës, siç shihet në mars të vitit 2023.

Në zonat pranë vendbanimeve të populluara, kufiri midis dy vendeve aktualisht është i veshur me një gardh të projektuar për të ndaluar vetëm bagëtitë endacake dhe njerëzit mund të kalojnë lehtësisht mbi të.

Rojet kufitare duke patrulluar me makina dëbore në rajonin Kuusamo, së bashku me Rusinë, në shkurt të vitit 2023.

Pjesa më e madhe e kufirit prej 1.340 kilometrash të Finlandës me Rusinë shihet si shumë i largët dhe i paarritshëm për të kërkuar ndonjë pengesë fizike. Ndërkaq 200 kilometrat e rrethojave të reja do të vendosen në zona të arritshme lehtësisht me rrugë, kryesisht në juglindje të vendit, por edhe në rajonin verior të Laponisë.

Një ari shikon dy ujqër që qarkullojnë në një djerrinë pranë Hukkajarvit, pranë kufirit rus në maj 2022.

Gardhi kufitar mori miratim të gjerë politik në Finlandë, por grupet mjedisore thonë se mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në jetën e egër në rajonin ndërkufitar. Një zëdhënës i Institutit Finlandez të Mjedisit tha për mediat lokale se gardhi do të rezultojë në "më pak ujqër, arinj dhe derra të egër që hyjnë në Finlandë nga Rusia".

Një ekskavator duke punuar së bashku me rojet kufitare finlandeze pranë kufirit Pelkola më 14 prill.

Gardhi i ri kufitar do të përfundojë në vitin 2026 dhe pritet të ketë një jetëgjatësi prej rreth 50 vjetësh.
 

Anëtarja më e re e NATO-s, Finlanda, ka nisur ndërtimin e një gardhi që përfundimisht do të shtrihet rreth 200 kilometra përgjatë kufirit midis Finlandës dhe Rusisë. Helsinki thotë se struktura synon të ndalojë migrimin e mundshëm "të armatosur". (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)