Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.
“Zgjoi” bën pjesë në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.
Filmi "Zgjoi" është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.
Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
SHIKONI EDHE: Ta luash dhimbjen e FahrijesAskush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.
Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit "Zgjoi".
Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.
Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë të Kosovës, i xhiruar në Kosovë, ishte filmi i parë që përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar.
Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.