Kampionati Evropian i futbollit 2024 filloi të premten mbrëma, me nikoqiren Gjermaninë që e mposhti bindshëm 5:1 Skocinë në ndeshjen hapëse të Grupit A në stadiumin Allianz Arena në Munih.
Florian Wirtz, Jamal Musiala, Kai Havertz, Niclas Fullkrug dhe Emre Can i shënuan golat për Gjermaninë, kundër një skuadre skoceze që luajti me 10 futbollistë për pjesën më të madhe të ndeshjes, pasi Ryan Porteous u përjashtua nga loja me karton të kuq në fund të pjesës së parë.
Mbrojtësi gjerman Antonie Rudiger shënoi autogol në fund të ndeshjes për golin ngushëllues të skocezëve. Gjermania do të përballet me Hungarinë në ndeshjen e dytë në grup, ndërsa Skocia me Zvicrën. Hungaria dhe Zvicra përballen paraprakisht të shtunën, më 15 qershor.
Ky është edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian, i njohur më mirë si Euro, dhe në të po merr pjesë edhe Shqipëria - për herë të dytë në historinë e vet, pas debutimit më 2016.
Ndeshjes hapëse mes gjermanëve dhe skocezëve i parapriu ceremonia e zakonshme zyrtare.
Kosova dështoi të kualifikohej, ndërsa Shqipëria do ta ketë një grup zor ta kalueshëm, pasi përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Turneu ka gjashtë grupe me nga katër ekipe secili. Ekipet në secilin grup përballen njëra me tjetrën nga një herë. Dy ekipet me më së shumti pikë në grup kalojnë në fazën tjetër të garës, së bashku me katër ekipe që kanë paraqitje më të mira nga vendet e treta.
Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume në qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik.
Nga rrethi i 16 më të mirëve e tuje, gara është e karakterit të eliminimit direkt në fazat çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale për ta përcaktuar kampionin.
Anglia dhe Franca shihen si kombëtaret favorite për ta fituar trofeun evropianin. Anglia nuk ka fituar trofe të madh ndërkombëtar prej se e fitoi Kupën e Botës më 1966 dhe doli humbëse në Euro-n e kaluar kur u mposht nga Italia.
Your browser doesn’t support HTML5
Franca ishte finaliste e Kupës së Botës 2022, ku u mposht nga Argjentina e Lionel Messit, dhe udhëhiqet nga superylli i ri i Real Madridit, Kylian Mbappe.
Cilat janë grupet?
Grupi A: Gjermani, Skocia, Hungaria, Zvicra
Grupi B: Spanja, Kroacia, Italia, Shqipëria
Grupi C: Sllovenia, Danimarka, Serbia, Anglia
Grupi D: Polonia, Holanda, Austria, Franca
Grupi E: Belgjika, Sllovakia, Rumania, Ukraina
Grupi F: Turqia, Gjeorgjia, Portugalia, Republika e Çekisë
Kush janë kampionët e kaluar?
Italia e fitoi edicionin e fundit të Euro-s, i cili u zhvillua më 2021 për shkak se turneu u shty për një vit si pasojë e pandemisë së COVID-19.
SHIKONI EDHE: Euro 2024: Bëhuni gati për një shfaqje politikash, fanellash dhe tifozësh ultrasGjermania dhe Spanja e kanë fituar Kampionatin Evropian nga tri herë secila.
Ndërsa, dy kombëtaret e tjera të vetme që e kanë fituar më shumë se një herë, janë Italia dhe Franca, që e kanë fituar nga dy herë secila.
Një turne më ndryshe
Megjithatë, ky turne do të zhvillohet në një kontekst politik më ndryshe. Ngjarja kryesore sportive në Evropë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës po mbahen nën hijen e konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ukraina është pjesëmarrëse dhe mund të presë pritje të ngrohtë në Gjermani, e cila ishte nikoqire e ndeshjeve të kombëtares ukrainase si vendëse gjatë fushatës kualifikuese.
Rusia u përjashtua nga kualifikimet dhe është e pezulluar nga të gjitha garat ndërkombëtare nga organi i futbollit qeverisës në Evropë, UEFA, si dhe nga shtëpia e futbollit botëror, FIFA.
SHIKONI EDHE: Turneu më i madh i futbollit në Evropë fillon këtë javë dhe është i paparashikueshëmNdërkohë, Gjeorgjia po shkon në kampionatin e parë të madh të futbollit në një kohë kur kriza në atdhe është thelluar.
Si gjithmonë, Kampionati Evropian është i kërcënuar nga huliganizmi, ku përleshjet mes tifozëve rivalë janë bërë ndodhi e zakonshme. Por, kërcënimi nga terrorizmi dhe dhuna politike janë bërë shqetësim edhe më i madh për sigurinë, pas një sërë sulmesh ndaj politikanëve në Gjermani.
Autoritetet gjermane kanë vendosur t’i rrisin dhe shpeshtojnë kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit. Më shumë se 20.000 oficerë të policisë do të jenë në detyrë.
Duke i parë tensionet rreth luftës në Rripin e Gazës, UEFA dhe Gjermania i shmangën shqetësime më të mëdha kur Izraeli dështoi të kualifikohej për Euro 2024.